Ministrja e Brendshme gjermane Nenci Feizer shpalli vendosjen e kontrolleve të përkohshme kufitare në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë.
Vendimi u mor për të kufizuar emigrimin e parregullt dhe për të mbrojtur qytetarët nga ekstremizmi islamik. Sipas vendimit kontrollet do të fillojnë më 16 shtator dhe fillimisht do të zgjasin për gjashtë muaj.
Kontrollet e reja kufitare vijnë pas një debati të madh në shoqërinë gjermane kur mediat zbuluan se autori i masakrës në qytetin e Solingenit ishte një shtetas sirian i cili kishte kërkuar azil në Gjermani.
Grupi Shteti Islamik mori përgjegjësinë për një sulm me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit që vrau tre persona në gusht.
Gjermania ndan kufirin e saj tokësor prej më shumë se 3700 kilometrash me Danimarkën, Holandën, Belgjikën, Luksemburgun, Francën, Zvicrën, Austrinë, Republikën Çeke dhe Poloninë.
Gjermania pranoi më shumë se një milion njerëz, kryesisht të arratisur nga lufta në vende të tilla si Siria gjatë krizës së emigrantëve 2015-2016 dhe ka pranuar 1.2 milionë ukrainas që nga fillimi i luftës në Ukrainë në shkurt 2022.
Tv Klan