Ishte paralajmëruar nga qeveria gjermane vendosja e kontrolleve të përkohshme kufitare në të gjithë kufijtë tokësorë të Gjermanisë dhe këtë të hënë autoritet nisën zbatimin e këtij vendimi.
Në vendkalimin në Kehl në kufi me Francën, policia kufitare gjermane nisi patrullimet.
Zëdhënësi i Policisë Federale Gjermane Dieter Hutt për televizionin Reuters shpjegon se si po kryhen këto kontrolle.
Dieter Hutt, zëdhënës i policisë: Kontrollet tona janë shumë fleksibël dhe varen nga situata që do të thotë se ne nuk kontrollojmë çdo automjet apo çdo person. Përkundrazi, kontrollet fokusohen tek automjetet ku dyshojmë se ka emigrantë të paligjshëm. Duke vepruar kështu, ne nuk shqetësojmë udhëtarët.
Sipas vendimit kontrollet fillimisht do të zgjasin për gjashtë muaj dhe nuk dihet nëse ky afat kohor do të shtyhet. Kontrollet e reja kufitare vijnë pas një debati të madh në shoqërinë gjermane kur mediat zbuluan se autori i masakrës në qytetin e Solingenit ishte një shtetas sirian i cili kishte kërkuar azil në Gjermani.
Grupi Shteti islamik mori përgjegjësinë për një sulm me thikë në qytetin perëndimor të Solingenit gjatë muajit gusht ku mbetën të vrarë tre persona dhe u plagosën disa të tjerë. Vendimi i kancelarit Olaf Scholz është pritur me kritika nga disa vende evropiane, por lavdërime nga e djathta ekstreme.
Kontrollet e përkohshme lejohen në rrethana të jashtëzakonshme për të shmangur kërcënimet ndaj sigurisë së brendshme.