Ndërsa përgatitet të nisë emisionin “Blue” për të tretin sezon radhazi në Televizionin Klan, Bledi Strakosha duket shumë i emocionuar. Në pritje të mbërrijë e ftuara e emisionit të parë i shkëputëm disa momente për të zbuluar risitë me të cilat “Blue” vjen këtë vit.
Bledi Strakosha: “Menduam që të rikthejmë thuajse në po të njëjtin format meqenëse ka qenë i suksesshëm dhe ka ngjallur rrjedhimisht edhe nostalgjinë tek publiku, kështu që kemi bërë shumë pak ndryshime të cilat konsistojnë më shumë në anën vizuale pra skenografia, të ftuarit që do të jenë të rinj dhe do të kemi edhe kategorinë e rinj të artistëve pra që do të thotë janë relativisht në moshë por kanë filluar që të vegjël karrierën”.
Mbi 70 personazhe e kanë vizituar emisionin “Blue” për gjatë sezoneve të kaluara, intervistat e të cilëve ashtu si konfirmon Bledi ka ngjallur nostalgjinë tek publiku. Por këtë herë është men duar që rrethi i të ftuarve të zgjerohet me fusha të tjera përveç artit.
Bledi Strakosha: “Do të përpiqemi të intervistojmë edhe personalitete të huaj, do të jenë nga politika, arti, kultura, biznesi, sporti”.
Bashkëpunimi me regjisoren Rozeta Merko dhe stilistin Joni Peçi që ka krijuar një atmosferë të re vizuale të skenës janë element po ashtu të rëndësishëm.
Bledi Strakosha: “Rozi është një vajzë shumë e talentuar dhe jam shumë i lumtur që në këtë sezon të 3 do të punojmë me Rozeta Merkon. Dëshiroj të falënderoj në mënyrë të veçantë dhe Joni Peçin, i cili na ka qëndruar pranë gjatë gjithë kohës për të ndërtuar një skenografi shumë të bukur që do ta zbulojnë teleshikuesit sonte në mbrëmje”.
Ne po ju zbulojmë vetëm 1 pjesë të skenografisë, pasi të plotë atë do të keni mundësi ta ndiqni në mbrëmje në orën 23:30 në ekranin e TV Klan me intervistën e aktores Yllka Mujo./tvklan.al
Gazetare: Daniela Kostandini
Operator Klodian Keçi