Një ekip futbolli shqiptar i quajtur “Çamëria” është shtrënguar të largohet nga një turne amator ndërkombëtar që po mbahej Kretë për shkak të emrit. Ngjarja ndodhi të premten, pasi kjo skuadër kishte zhvilluar dy ndeshjet e para në Socca Champions League, njëra me ekip vendas. Deri në atë moment nuk kishin patur probleme, por më pas sipas trajnerit të ekipit Irtan Sejko për këtë ndërhynë autoritetet vendase.
“Ka qenë e vështirë se kur organizatorët thonë se shërbimet inteligjente greke kanë idientifikuar grupe ekstremiste nacionaliste që do të reagojmë. Na është thënë se inteligjenca, policia, qeveria dhe qeverisja lokale, kanë telefonuar organizatorët dhe i kanë thënë se ekipi me emrin Çamëria nuk mund të marrë më pjesë ose nëse do të vazhdojë mund ta bëjë pa logo dhe pa emër.”
Sejko tha për Tv Klan se tërheqja ndodhi, pasi nuk pranuan të hiqnin simbolet.
“Nëse është për të luajtur do ta bëjmë me logon dhe emrin tonë, nëse jo do të tërhiqemi nga aktiviteti dhe do ta bëjmë problem diplomatik aq sa kemi ne mundësi nëpërmejt institucioneve tona.”
Irtan Sejko thotë se kjo skuadër ka marrë pjesë edhe në turne të tjerë ndërkombëtarë ku ka patur edhe ekipe greke, por ngjarja ndodhi pikërisht në Greqi ku kishin shkuar për futboll.
“Shikoj që ndoshta Greqia nuk e pranon që dikush të ngrejë flamurin e Çamërisë brenda Greqisë, gjë që e arritëm për krenarinë tonë dhe jo për të trembur njeri.”
Ekipit “Çamëria” në fund i janë hequr rezultatet dhe zeruar pikët.
Tv Klan