Vetëmbytja e një nëne 39-vjeçare, duke u hedhur bashkë me tre fëmijët e saj të mitur në lumin Buna ka tronditur jo vetëm Shkodrën, por gjithë opinionin publik. Teksa në sajë të kërkimeve nga forcat e policisë është bërë e mundur gjetja e trupit të dy vajzave, po vazhdojnë kërkimet intensive për gjetjen e trupit të djalit 3 vjeç dhe të gruas.

Dhuna fizike dhe ajo psikologjike mendohet të jenë faktorët kyçë që e detyruan Almën 39 vjeçe t’i japë fund jetës dhe bashkë me të sajën edhe të tre fëmijëve të mitur. Në një intervistë për Klan News juristja Eni Çobani duke shprehur ngushëllime të përzemërta tha se ngjarja ishte shokuese. Në fjalën e saj ajo i ka bërë thirrje Erdgys Arrazit që të japë një dëshmi të plotë, pasi sipas saj vetëm ai mund të hedhë dritë për ngjarjen tragjike.

Enigmat brenda familjes ngelin gjithmonë brenda çiftit. Nga ky çift neve sot njërin e kemi të ikur nga jeta, akoma nuk e kemi të vërtetuar në fakt, por besoj që vazhdojnë kërkimet. Dhe deri në këto momente akoma nuk e vërtetojmë dot faktikisht që nëna ka ikur nga jeta, por kemi babain, dhe unë i bëj thirrje nëpërmjet këtij televizioni Erdgysit. Erdgysi ndoshta në këto momente nuk na ndjek, por na ndjek familja, i bëj thirrje të flasë, të flasë dhe të japë një dëshmi të plotë. Çfarë ka ndodhur me çiftin?! Si është e mundur që një nënë të tërheqë me vete tre fëmijë?! Tre fëmijë e thashë edhe një herë është pasuri. Nuk arrij ta konceptoj dot se si ajo nënë pavarësisht gjendjes shumë të rënduar psikologjike, sepse në momentet e fundit, gjithmonë flasim nga mediat, unë kërkoj ndjesë në qoftë se nuk flasim ndonjë gjë të vërtetë, por flitet që nga telefonata që ka bërë me të motrën ka qenë duke parë Erdgysin me të dashurën apo me zonjën e re që ai do të krijonte jetën në vazhdim, gjë që të cilën ja kishte shprehur Almës,” shprehet juristja Eni Çobani./tvklan.al