Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan ka realizuar vizitën e rradhës në Shqipëri. Kjo vizitë, disa orëshe, pason atë të 17 Janarit të vitit 2022.

Në aeroportin e Rinasit kreu i shtetit turk bashkëshortja Emine dhe delegacioni që i shoqëron u pritën nga zv/kryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha dhe ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja.

Nën masa të forta sigurie Presidenti Erdogan dhe delegacioni shoqërues iu drejtuan Presidencës ku homologu shqiptar me Bajram Begaj kishte rezervuar një pritje solemne me ekzekutimin e himneve kombëtare të të dy vendeve.

Pas takimit me presidentin Begaj ishte kryeministri Rama që në hyrje të selisë së qeverisë kishte dalë për të pritur presidentin

Rama dhe Erdogan drejtuan mbledhjen e Këshillit të Bashkëpunimit të Nivelit të Lartë mes delegacioneve të dy vendeve ku u nënshkruan edhe 3 marrëveshje, në fushën e sigurimeve në bujqësi, ajo për Hapjen e Degës, Njësisë Akademike e Programeve të Studimit nga Universiteti Teknik i Stambollit në Shqipëri si dhe memorandumi i Mirëkuptimit mes Agjencisë shqiptare për Media dhe Informim dhe Drejtorisë së Komunikimit të Presidencës turke. Marrëveshja për krijimin e këtij Këshilli u nënshkrua në janar të vitit 2021, ndërsa mbledhja e parë u mbajt në Shkurt të këtij viti.

Një nga shqetësimet e presidentit Erdogan është edhe fakti se organizata FETO e drejtuar nga Abdullah Gulen ka strukturat e saj edhe në Shqipëri, dhe për këtë pala turke ka kërkuar herë pas here  nga institucionet shqiptare “eliminimin” e tyre.

Dy vite më parë, Erdogan pa nga afër lagjen me banesat që u ndërtuan në Laç falë mbështetjes së qeverisë turke. Ndërtimi i 522 apartamenteve ishte kontribut i shtetit turk pas tërmetit tragjik të 26 Nëntorit 2019 në vend. Por jo vetëm kaq, Turqia i erdhi në ndihmë Shqipërisë edhe me baza të tjera materiale dhe 350 mijë euro asokohe duke ndërtuar po ashtu një spital të ri në Fier

Qeveria turke ka dhënë një grant prej 100 milionë lirash turke për modernizimin e Forcave të Armatosura ndërsa nga pala shqiptare ka në zotërim tashmë tre dronë Bayraktar. Turqia është ndër investitorët më të mëdhenj në Shqipëri me rreth 3.7 miliardë euro, ndërsa më shumë se 15 mijë shqiptarë janë të punësuar nga 830 kompanitë turke që operojnë në Shqipëri.

Klan News