Presidenti i Republikës Bajram Begaj, uroi Kosovën për Ditën e Pavarësisë, për sakrificën dhe përpjekjet e të gjithë atyre që kontribuan për lirinë dhe shtetësinë.
I ftuar në ceremoninë e pritjes së organizuar nga Ambasada e Kosovës në Tiranë, Kreu i Shtetit bëri thirrje për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve shqiptare dhe për anëtarësimin sa më shpejt në Bashkimin Evropian.
Presidenti Begaj shprehu mirënjohje dhe nderim ndaj liderëve politikë, luftëtarëve të UÇK-së dhe gjithë shqiptarëve që bënë realitet ëndrrën për liri dhe pavarësi, të mbështetur nga aleatët ndërkombëtarë dhe NATO.
Gjatë fjalës përshëndetëse, Presidenti Begaj vlerësoi se pavarësia e Kosovës është pjesë e themelit të paqes në rajon dhe, si e tillë, mbetet një shtyllë e rëndësishme e sigurisë evropiane.
Presidenti i Republikës apeloi Bashkimin Evropian për të lehtësuar raportet me Kosovën, si dhe vendet anëtare, të cilët ende nuk e kanë njohur, të rishikojnë vendimet e tyre.
Kreu i shtetit u shpreh se “Në aspektin strategjik, zgjerimi i Bashkimit Evropian me vende të reja dhe roli i tij në sigurimin e paqes, zhvillimit dhe demokracisë në të gjithë kontinentin nuk mund të përmbushet nëse ka vende anëtare të Bashkimit Evropian që nuk e njohin shtetin më pro tij, Kosovën.”
Presidenti Begaj, gjithashtu, përgëzoi autoritetet e Kosovës për arritjet gjatë këtyre 17 viteve në funksion të qytetarëve dhe demokracisë, duke përshëndetur edhe procesin e fundit zgjedhor në Kosovë.
/tvklan.al