Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, Elman Abule dhe 5 biznesmenët e tjerë të vënë nën hetim do të dalin të mërkurën në 8:30 para Gjykatës së Posaçme.
Gjyqtari Erion Bani, që lëshoi në mungesë 8 masat e sigurimit, mes të cilave “Arrest në burg” për Veliajn dhe Abulen, e arrest në shtëpi për Ajola Xoxën, do të dëgjojë pretendimet e tyre për masën e sigurisë dhe hetimet.
Këto të fundit, sipas dosjes hetimore që Tv Klan lexoi janë të bazuara në dëshmi të personave që kanë punuar për Xoxën dhe biznesmenët e vënë nën hetim, tabulatet telefonike, mesazhet e gjetura në telefonët e sekuestruar, por edhe në një bllok shënimesh të gjetur në vilën në Qerret.
Pas verifikimit të kallëzimit që pretendonte lidhjen e Veliaj me biznesmenin Gentian Sula dhe faktin që bashkëshortja e tij kishte punuar në ministrinë e drejtuar nga kryebashkiaku, SPAK thotë se dokumentoi edhe pronësinë e vilës në Qerret.
Kjo përmes logimeve të numrit të tij, dëshmive të punonjësve dhe një blloku shënimesh
“Nga analiza ka rezultuar se numri celular më sipër ka patur logime të shpeshta në zonën e Qerretit. Nga kjo analizë, rezulton se këto logime janë kryesisht gjatë fundjavave, por ka edhe logime të cilat janë gjatë ditëve të caktuara të javës. Në bllokun e shënimeve evidentohen pagesa të tjera mirëmbajtje për pasurinë në fjalë, të cilat shënohen me kujdes nga shtetësja Valbona Xoxa, për faktin se i duhet të raportojë për to tek shtetësja Ajola Xoxa, e cila paguan në të vërtetë shpenzimet për këto shërbime”, thotë SPAK.
Nëpërmjet dëshmive dhe të dhënave nga komunikimet e gjetura në telefonët e sekuestruar, SPAK pretendon se ka dokumentur se financimet e biznesmenëve për qendrën “Harabel”, që pavarësisht se ka tjetër administrator, përfituese fundore është Ajola Xoxa.
“Sa më sipër, sipas organit procedues evidentohet se një pjesë e konsiderueshme e financimeve të kryera për Qendrën Harabel, (kryesisht financime, sponsorizime nga subjekte të cilët lidhen në një formë apo në një tjetër me Bashkinë Tiranë), përdoren për pagesat e qirasë të shtetases Ajola Xoxa si dhe likujdime të faturave për shërbime të kryera nga shoqëritë e familjarëve të saj si AVA Studio shpk (në pronësi të Valbona Xoxa); Partner Laë (në pronësi të Ajola Xoxa); Arts Lab (në pronësi të Erald Simixhiu); dhe NAN Gallery shpla (në pronësi me 100% të vetë Harabel)”, thuhet në dosjen hetimore.
Komunikimet telefonike dhe mesazhet e shkëmbyera mes njerëzve të lidhur me të hetuarit në këtë dosje, kanë treguar se edhe mekanizmin tjetër të kalimit të vlerave monetare të konsideruara nga SPAK si korrupsion.
“Mekanizmi i cili nis që nga subjekti tregtar “Fusha” shpk, i lidhur ngushtë me interesa financiarë me Bashkinë Tiranë, vijon me kalimin e një sasie të hollash, rreth 2.600.000 lekë, të ndara mes personave fizikë Ines Dani dhe Greta Domi, në llogaritë e tyre bankare, dhe kalimi nga këto të fundit tek destinacioni fundor që rezulton të jetë shtetësja Ajola Xoxa, sipas udhëzimeve të qarta të lëshuara nga kjo e fundit, si nëpërmjet tërheqjeve në Cash ashtu edhe nëpërmjet transfertave në OJF të e kontrolluara nga vetë kjo shtetase”, sipas SPAK.
Në një reagim në rrjetet social pas arrestimit, kryebashkiaku Erion Veliaj mohoi akuzat dhe tha se ai dhe familja e tij nuk kanë lidhje me fjalën korrupsion.
Tv Klan