Basha: Diskutuam nga shpallja “non grata” e Berishës, deri tek lufta kundër korrupsionit
Të parin takim zyrtar në Tiranë, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Europiane dhe Euroaziatike, Gabriel Escobar e zhvilloi me Kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha.
Vetë zyrtari i lartë amerikan konfirmoi se në 60 minuta takim, pjesë e bisedës ishte jo vetëm angazhimi i opozitës ndaj NATO-s dhe integrimit europian, por dhe lufta kundër korrupsionit. E në vijim të bashkëpunimit me Partinë Demokratike, i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara konfirmoi ftesën ndaj kreut të opozitës në Uashington.
“Isha i lumtur që kisha mundësi të takohesha me opozitën dhe ata kanë shprehur angazhimin e tyre ndaj NATO-s, integrimit europian dhe luftës ndaj korrupsionit. Jemi gjithashtu të kënaqur që jemi pjesë e kësaj, përfshirë dhe përpjekjet tona të forta kundër korrupsionit, përfshirë sanksionet. Por për ta kthyer këtë në realitet do të nënkuptoj dhe kërkoj një përkushtim të fortë nga institucionet shqiptare. Pres me kënaqësi vijimin e marrëdhënieve me PD-në, gjithashtu pres me kënaqësi që të takoj zotin Basha në Uashington sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Escobar.
Lulzim Basha pohoi se me zyrtarin e lartë amerikan kishte diskutuar jo vetëm për aktualitetin politik në vend, por edhe për shpalljen “non grata” të ish-Kryeministrit Sali Berisha, teksa tha se e kishte pritur me kënaqësi ftesën drejt Uashingtonit.
“Padiskutim që çështja e pandëshkueshmërisë sikundër politikat e sanksioneve “non grata”, ishin pjesë e diskutimit ndërsa sa i përket çështjeve që i takojnë vendimeve të Departamentit të Shtetit jam i bindur që do të keni mundësinë të dëgjoni drejtpërsëdrejti nga Escobar qëndrimet e Departamentit Amerikan të Shtetit. Është një ftesë e përsëritur dhe e mirëpres me kënaqësi dhe padiskutim po planifikoj një vizitë në Uashington.”
Në takimin me kreun e opozitës, zoti Escobar shoqërohej nga Ambasadorja Amerikane, ndërsa Lulzim Basha nga Sekretari i Përgjithshëm dhe nënkryetarët e Partisë Demokratike. Pas një takimi mes delegacioneve, mësohet se Basha e Escobar kanë zhvilluar edhe një bisedë kokë më kokë mes tyre.
Tv Klan