Mëngjesin e kësaj të hëne në studion lëvizëse të “Aldo Morning Show” në Tv Klan ishte deputetja e PD, Jorida Tabaku e cila foli për rritjen e çmimeve dhe për politikat që ndiqen, që sipas saj janë të gabuara.

Deputetja shprehu idenë se ka një nevojë të shtuar të ndryshimit të sistemit, së pari në aspektin ekonomik dhe së dyti në mënyrë e konceptimit të taksave.

Jorida Tabaku: Unë mendoj se ka nevojë që të ndryshojë sistemi edhe për modelin ekonomik së pari, por së dyti dhe për mënyrën se si përcaktohen taksat. Jemi i vetmi vend që nuk e vlerëson punën dhe prandaj kur flasim me miliarda apo miliona euro në buxhetin e shtetit si konceptojmë dot, sepse këto shkojnë tek një grup shumë i vogël, nuk shpërndahet pasuria tek të gjithë qytetarët, si rezultat i këtij sistemi. Politikë taksash, politikë e modelit ekonomik. Tani mundet që të ketë Tirana të vetmi model zhvillimi ndërtimin?! Për mua është e pafalshme, e pakonceptueshme. Unë mendoj se arsyeja është kapja e ekonomisë, zë shembull energjinë ose naftën. Nëse do të kishim konkurrencë në treg kjo nuk do të ndodhte sepse konkurrenca do të lejonte që të konkurroje sipas çmimeve.

Jorida Tabaku tha gjithashtu se më shumë se 40% e forcës punëtorë të vendit tonë kanë zgjedhur të largohet nga Shqipëria. E duke folur për largimin e të rinjve ajo e cilësoi si fatkeqësi faktin që sot bëhet fushatë për pensionistët, e jo për të rinjtë.

Jorida Tabaku: Sot është kjo tema e pensioneve. Tani a nuk është fatkeqësi që Shqipëria nga vendi që bënte politika për të rinjtë tani bën fushatë për pensionistët. Ishin 500 mijë u bënë 800 mijë përafërsisht. Ndërkohë që 40% e forcës aktive është larguar, tani ka një problem që nuk shkon këtu./tvklan.al