Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të mos i kapë paniku sa i përket pasojave që shkaktohen nga infeksioni i Etheve të Nilit Perëndimor.
Silvia Bino, shefe e Njësisë së Epidemiologjisë dhe Kontrollit të Sëmundjeve Infektive tha se ky infeksion nuk paraqet shenja te njerëzit e shëndetshëm dhe te të rinjtë.
“Vetëm 20% e tyre mund të paraqesin disa shenja të cilat janë të ngjashme me shenjat e gripit ose mund të shfaqen pika të kuqe në lëkurë. Vetëm 1% e këtyre personave dhe zakonisht personat që kanë sëmundje bashkëshoqëruese apo që janë mbi 60 vjeҫ apo që përdorin me shumicë alkool, janë persona që mund të bëjnë prekje të sistemit nervor qendror si encefalite dhe meningite.”
Ajo apeloi te qytetarët që të bëjnë kujdes me higjenën personale si përdorimi i pomadave apo elementeve të tjerë ndaj mushkonjave, si dhe të largojnë mbeturinat nga ambientet shtëpiake apo bizneset.
Ethet e Nilit u rikthyen në vendin tonë pas 13 vjetësh duke shkaktuar deri tani 3 të vdekur dhe 17 të infektuar. 9 prej tyre, të cilët janë të moshës mbi 70-vjeç janë të shtruar në spitalin infektiv në QSUT.
Tv Klan