Rreth 20% e personave që janë me diabet në Shqipëri nuk e dinë se vuajnë nga ky problem shëndetësor, për shkak të mosdiagnostikimit.
Sipas mjekut endokrinolog, Florian Toti, rastet e fundit janë evidentuar kryesisht nga kontrolli bazë shëndetësor dhe rezultojnë 4 mijë raste të reja.
Florian Toti, mjek endokrinolog: Ne i kemi edhe nga depistimet që bëjmë rreth 20% na rezultojnë që janë me diabet dhe nuk e dijnë. Sivjet shifra ka rënë diku te 4000 raste të reja me diabet, pra krahasur me atë mbulimin që kërkohet të diagnostikoheshin 80% të rasteve me diabet dhe ne pothuajse e kemi arritur këtë.
Mjeku i njohur rendit dhe disa nga simptomat që tregojnë kur një person vuan nga diabeti.
Florian Toti, mjek endokrinolog: Janë shenjat klasike klinike pra etja e shtuar, urinimi i shpeshtë, rënia në peshë pavarësisht se oreksi vazhdon të jetë njëlloj apo të jetë i shtuar. Një person që ka në familjen e tij anamnezë për diabet duhet që të jetë më i kujdesshëm në këtë drejtim, një person që ka mbipeshë apo obezitet duhet që ta kontrollojë me shpesh gliceminë, një person që është sedentar pra që ka një punë zyre që nuk ecën shumë.
Referuar të dhënave zyrtare vitet e fundit janë mbi 90 mijë persona që kanë sëmundjen e diabetit, prej të cilëve rreth 30 mijë janë vetëm në Tiranë.
Për të pasur një kontroll sa më të saktë të problemeve të diabetit, Ministria e Shëndetësisë ofron rimbursimin e fishave të diabetit për fëmijët dhe grupmoshën mbi 65-vjeçare apo për personat me ndihmë ekonomike.
Klan News