Deputeti i Kuvendit të Kosovës Ukë Rugova, djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova është arrestuar nga forcat e EULEX. Arrestimi u krye gjatë paradites në banesën e tij në lagjen Velania të Prishtinës. Lajmi konfirmohet përmes një komunikate për shtyp nga zyra e EULEX. Sipas komunikatës, arrestimi u krye në kuadër të hetimeve ndaj aktiviteteve të krimit të organizuar, ku dyshohet se është përfshirë edhe Ukë Rugova. Burime nga EULEX thonë për mediat kosovare se ai dyshohet për aktivitete që kanë të bëjnë me krimin ekonomik. Gjatë aksionit, në prangat e EULEX ranë edhe 7 persona të tjerë. Ndër emrat e të arrestuarve përmendet emri i një zyrtari të ambasatës italiane Florian Petani, që sipas mediave kosovare është shtetas shqiptar. Në përfaqësinë diplomatike italiane në Prishtinë, ai punon në sektorin e vizave. Në pranga u vu edhe Izet Beqiri që po sipas mediave në Kosovë është mik i Ukë Rugovës.
Zëdhënësi i EULEX Blerim Krasniqi citohet nga Radio Europa e Lirë, të ketë thënë se të arrestuarit dyshohen për kryerjen e veprave të kimit të organizuar, mashtirimit dhe ushtrimit të ndikimit. Të pandehurve, sipas Krasniqit u janë bastisur shtëpitë. Ndërsa operacioni është pjesë e hetimit të përbashkët me policinë e Kosovës, që gjithësesi nuk u përfshi në aksionin e sotëm.
Avokati i Ukë Rugovës tha se ai do të mbahet nën mbikqyrjen e policisë për 48 orë, para se t’i jepet edhe masa.
Ukë Rugova është djali i dytë i ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova. Ai lindi më 3 qershor të vitit 1980 në Prishtinë. Rugova është diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Prishtinës. Gjithashtu ka kryer studime në degën e Administrim-Biznesit në Universitetin e Los Angelesit. Ai është pjesë e legjislaturës së katërt në Kuvendin e Kosovës, në Grupin Parlamentar për Kosovën, që njihet ndryshe edhe si lista Rugova.