Për herë të pestë në histori, Spanja është në finalen e Kampionatit Europian. Iberikët bënë mrekullinë kundër Francës për të koleksionuar fitoren e gjashtë në këtë turne. Në stadiumin e Mynih, emocionet e së cilës u përjetuan ekskluzivisht në TV Klan dhe Radio Klan u zhvillua një 90 minutësh spektakolar, me ritëm dhe që prodhoi 3 gola, me ekipin e Luis de la Fuente që arriti të triumfojë me shifrat 2-1.
Ishte Franca ajo që kaloi e para në avantazh pas 8 minutave lojë, për të krijuar iluzionin e një fitoreje komode të “gjelave”. Kolo Muani përktheu në gol krosimin e Kylian Mbappe, duke u ngjitur në kuotën e 5 rrjetave personale me kombëtaren dhe të parin e Francës me aksion të rrjedhshëm në Euro2024.
Por reagimi i Spanjës ishte i frikshëm, teksa shënoi dy herë në harkun e 4 minutave lojës. Lamine Yamal vendosi ekuilibrat e shifrave pas këtij goli spektakolar në të 21-ën minutë.
Realizim që e bën talentin spanjoll futbollistin më të ri që shënon në një turne të madh ndërkombëtar mes Europianit dhe Botërorit. Ylli iberik shënon golin e parë në karrierë në Europian, në moshën 16-vjeç e 362 ditë, për të thyer një rekord që mbahej nga legjenda e ndjerë Pele.
Në të 25-ën, Olmo bëri gjithçka në perfeksion në zonë dhe pasi dribloi Tshuamenin lëshoi të djathtën e cila para se të përfundonte në rrjet gjeti devijimin e mbrojtësit Kunde. Një gol që ndezi sfidën, me skuadrat që krijuar raste të tjera shënimi në minutat e mbetura.
Gjithsesi pavarësisht shanseve, as Mbappe në krahun e Francës apo edhe Yamal e Williams te Spanja nuk arritën që të ndryshonin rrjedhën e sfidës. Tashmë sytë e iberikëve drejtohen nga Dortmundi, aty ku do të dal finalisti tjetër i edicionit të 17-të të Europianit mes Holandës dhe Anglisë.
Klan News