Pak ditë nga gjysmëfinalja e Europianit tek Spanja kanë nisur dhimbjet e kokës. Trajneri Luis De la Fuente duhet të bëj pa tre element cilësor kundër Francës.

Fitorja 2-1 ndaj Gjermanisë u pasua me dëmtime të rënda dhe ndëshkim me kartonë të verdhë, vuajtjes e së cilës do të përjetohen në Mynih mbrëmjen e 9 korrikut.

Mesfushori Pedri ka mbyllur tashmë Europianin pas dëmtimit në gju. 21-vjeçari u përplas me Kroos dhe në rrezik mbetet edhe fillimi i sezonit të ri me Barcelonën.

Nga ekzaminimet mjekësore ka rezultuar se mesfushori ka pësuar ndrydhje në gju, me fazën e rikuperimit që pritet të zgjas nga 4 deri në 6 javë. De la Fuente do të detyrohet të riorganizojë edhe repartin e mbrojtjes. Robin le Normand dhe Dani Carvajal do të jenë të pezulluar për sfidën me Francën pas kartonëve të marrë kundër Gjermanisë.

Të dy lojtarët do vuajnë një ndeshje pezullim dhe kthehen në finalen e mundshme të 14 Korrikut në Berlin. Naço do të rikthehej në qendër, ndërsa mbetet të zgjidhet një zëvendësues për krahun e djathtë të mbrojtjes.


Klan News