Delegacioni i Parlamentit Europian u shpreh kundër idesë së një qeverie tranzitore. Në konferencën për shtyp të mbajtur paraditen e kësaj të enjteje në Tiranë, Eurodeputeti Tunne Kelam tha se Shqipëria ka një parlament dhe qeveri legjitime dhe theksoi se fokusi kryesor i politikës shqiptare duhet të jetë përgatitja për Qershorin.

“Ne e kemi diskutuar këtë ide dhe kemi dëgjuar mendimet e ndryshme. Mendimi im është që parlamenti është zgjedhur në mënyrë të ligjshme. Ju keni një qeveri legjitime kështu që mendoj që përqendrimi tek ideja e pasjes së një qeverie të përkohshme, ose kalimtare do të dëmtonte përqendrimin që duhet të keni për hapjen e negociatave. Mendoj që përgatitja për Qershorin do të thotë pajtim dhe unitet kombëtar dhe siç e thashë kjo është puna juaj”,

tha Kelam.

Knut Fleckenstein ishte i prerë në qëndrimin e tij:

“Në asnjë mënyrë”.

Nga ana e tij, Cristian Dan Preda, i cili në zgjedhjet e 2017-s ishte vëzhgues në vendin tonë, tha se i dukej e çuditshme që pas 1 viti e gjysmë disa politikanë shprehen se ato ishin të këqija. Në vlerësimin e tij, zgjedhjet në fjalë shkuan mirë.

“Unë jam përfaqësues i PPE-së, bojkoti për ne është i pa pranueshëm, abandonimi i mandateve është i pa pranueshëm për ne. E kemi thënë këtë gjë në fakt edhe kur ishte partia e Ramës ajo që bojkotoi dhe e përsërisim këtë qëndrim edhe sot. Ne jemi parlamentarë dhe kemi përgjegjësitë tona. Unë kam qenë këtu si vëzhgues i zgjedhjeve të 2017-s dhe përfundimet tona ishin se zgjedhjet shkuan mirë. Dhe nuk mund të themi pas 1 viti e gjysmë se zgjedhjet nuk ishin të mira. Dhe kur e dëgjoj këtë gjë nga disa parti dhe kur ata thonë se përfundimet e zyrtarëve europianë nuk janë korrekte, mërzitem pak, sepse ne kemi ekspertizën, përvojën më të mirë në botë, që respektohet në të gjithë botën sa i përket vëzhgimit të zgjedhjeve. Për mua është pak çudi që të dëgjoj politikanë shqiptarë që zgjedhjet në 2017 kanë qenë të këqija, nuk di çfarë do të thotë kjo. Ju lutem respektoni rezultatin e zgjedhjeve”,

tha Dan Preda

./tvklan.al