Eurodeputetët konsiderojnë, se hyrja në parlament e opozitës shqiptare vetëm për të mbajtur mandatet nuk është demokratike. Sipas tyre edhe vet kërkesa e opozitës, për të shqyrtuar propozimet në parlament nuk mund të mbrohet nëse deputetët e opozitës nuk janë në Kuvend, ndaj Brukseli nxit opozitën për të luajtur një rol të plotë në procesin parlamentar.
Doris Pack: “Hapi që bëri opozita për t’u futur në parlament nuk ishte hapi i duhur, pasi ata janë të zgjedhur dhe duhet të bëjnë detyrën. Por nëse ata futen në parlament vetëm për të mos humbur mandatet dhe pastaj të vazhdojnë në rrugë kjo është shumë antidemokratike, pasi procedura demokratike është puna në parlament. Opozita ka paraqitur propozimet e saj legjislative, por nëse nuk ka asnjë nga opozita në parlament për t’i mbrojtur këto propozime atëherë çfarë presin ata nga ky kuvend. Ata duhet të jenë aty, të punojnë në parlament. Nëse dëgjoj deklaratat e opozitës, ata nuk po respektojnë Kushtetutën. Pashë që pati një zonë votimi në Ruzhdie, u hapën kutitë, por kjo u bë pasi prokuroria dha urdhrin për këtë. Zoti Rama mund t’i drejtohet prokurorisë kur të dojë nëse ai ka dyshime dhe arsye por ai nuk po e bën këtë. Por ai i kërkon qeverisë të hapen kutitë. Qeveria nuk mund të hapë kutitë.”
Paradoksi për eurodeputetët është që ndërkohë që serbët e Kosovës vijnë në Bruksel për të përcjellë mesazhin e përfshirjes në institucionet e Kosovës bashkë me shqiptarët duke i thënë jo bojkotit shqiptarët e Shqipërisë nuk po arrijnë dot të gjejnë gjuhën e përbashkët.
Jelko Kacin: “Mesazhi jonë në këtë takim është që t’i thuhet jo bojkotit të serbëve në Kosovë duke thyer kështu instruksionet e Beogradit prej dekadave. Ky është një mesazh i mirë ndërkohë që ajo që zoti Rama bën është një mesazh i gabuar. Mesazhi i gabuar i dhënë nga personi gabuar, në kohën e gabuar dhe audiencës së gabuar. Më vjen keq që jua them këtë.”
Doris Pack: “Nëse opozita nuk është e pjekur siç po e tregojnë, atëherë unë kam frikë për integrimin e Shqipërisë dhe do të jetë faji i tyre që nuk po punojnë në parlament. Ata thonë që po respektojnë zgjedhjet. Nëse ata po respektojnë zgjedhjet atëherë të përpiqen brenda parlamentit të reformojnë kodin elektoral për zgjedhjet e ardhshme. Kjo është puna e tyre dhe kjo punë nuk bëhet në rrugë. Më vjen keq dhe e them sërish që gjithë kjo opozitë të përdoret nga një person i vetëm. Unë kurrë nuk kam qenë e njëanshme. Asnjë nuk mund të më thotë që jam kundër socialistëve që shprehem në këtë mënyrë sepse unë i kam thënë të njëjtën gjë kur ishte e nevojshme Berishës dhe Partisë Demokratike. Kështu që nëse dëgjohet mirë deklarata, kuptohet që ajo bëhet për të mirën e vendit./tvklan.al