Të rinjtë shqiptarë janë të etur për t’u bërë mjekë, inxhinierë, urbanistë dhe specialistë IT. Të dhënat nga Rrjeti Akademik Shqiptar tregojnë se për vitin e ri akademik janë ezauruar të gjitha kuotat e këtyre degëve që mbeten më të kërkuarat në tregun e punës.
“15 300 maturantë janë regjistruar nga 19 mijë që kishin aplikuar. Programet kryesore janë mbyllur. Mjekësia u mbyll që 4 ditët e para, Urbanistika, Inxhinieria, Arkitektura, Stomatologjia, degët IT, ato që janë të kërkuara brenda dhe jashtë vendit, kanë pasur numër maksimal të regjistrimeve”, thotë Arjan Xhelaj, nga Rrjeti Akademik Shqiptar.
Drejtësia, një nga degët më të kërkuara ndër vite, ka humbur interesin e të rinjve. Deri tani rezultojnë 118 kuota bosh në Universitetin e Tiranës për këtë program studimi, e ndjekur nga Gjeografia dhe Administrim Biznes.
Përsa i përket degëve me prioritet kombëtar, këtë vit vihet re një interesim edhe nga të rinjtë me mesatare mbi 9. Sipas Xhelajt, për këtë ka ndikuar mbështetja financiare që qeveria jep për degët prioritare, përfshirë edhe programet e Universitetit Bujqësor.
Tv Klan