Celulari që cingëron në çdo moment dhe ajo nuk njeh kurrë orar pushimi. Ditë apo natë, infermiere Valentina është gjithnjë aty për pacientët e saj duke lënë mënjanë veten, familjen apo shtëpinë për t’u kujdesur për ta.
Pas surprizës së 4 pacienteve të saj në “Ka Një Mesazh Për Ty”, me plot fjalë mirënjohjeje e falenderimi,Valentina u pyet nga moderatori i së “Dielës Shqiptare” në Tv Klan, Ardit Gjebrea nëse është lodhur ndonjëherë. Me modesti, ajo ndau historinë sesi vendosi t’ia kushtonte veten mjekësisë.
Valentina: E di që bëj një profesion që e kam zgjedhur qysh fëmijë? Kam qenë 7 vjeçe kur kam thënë unë dua mjekësinë, por duke qenë fëmija e një të internuari, kam thënë o bëhem infermiere, o vdes. Këtë alternativë… dhe kam luftuar, nuk është e lehtë, ne jemi një moshë gati, nuk është e lehtë të merrje shkollën dhe të bëje atë që ti doje, por unë e doja profesionin tim, e doja mjekësinë, e doja infermierinë dhe kjo është meritë e të gjitha atyre grave që e kanë bërë këtë profesion me vite. Unë kam pasur idhull, do ta them me emër dhe me mbiemër, ishte zonja Fiqirete Vrapi që kujdesej për shëndetin tim dhe kur e shikoja aq të ëmbël, aq të dashur, aq të kujdesur, thosha a do të bëhem unë ndonjëherë si kjo zonjë? Të kesh një idhull, të kesh edhe një dëshirë që janë bashkë mendoj që është kjo që jam unë sot. Shpresoj vërtet t’ia kem arritur, ta kem merituar këtë moment./tvklan.al