Petrit Kurti, babai i Vladimir Kurtit: “
I kërkojmë falje për këtë tragjedi familjes Buci që i shkaktoi ish – djali im”.
Por familiarët e Agim Bucit të vrarë gjatë grabitjes në supermarketin e tij në Kamzë, e kanë refuzuar këtë ndjesë publike të babait të autorit të vrasjes. Në intervistën dhënë për Tv Klan, Petrit Kurti tha se ka tentuar të kontaktojë me familjarët e viktimës, por e ka pasur të pamundur. Vëllai i madh 53-vjeçarit të vrarë, Rufat Buci refuzon këtë kërkesë duke shtuar se këtë çështje ia ka lënë në dorë drejtësisë.
“As të mos ma përmendi më njeri këtë punë. As të mos e çojë njeri nëpër mend. Unë nuk kam punë me të. Ai në punë të vet, unë në punë time. Me këtë punë le të merret shteti”.
Të dyja familjet flasin për drejtësi. Petrit Kurti kërkon që ajo të bëhet me dënim kapital për të birin dhe familja Buci kur thotë se me vrasesin do të merret vetëm shteti.
Por në familjen Kurti ndihet frika e hakmarrjes. Burrat e familjes, janë ngujuar ose kanë braktisur shtëpinë.
Familja Buci thotë se tani është e shqetësuar vetëm për shëndetin e Meritës së plagosur, e cila ndodhet në Spitalin e Traumës dhe ka nevojë për dy pllaka platini që i duhen vendosur në këmbë dhe që nuk gjenden.
“I bëjmë një thirrje për ndihmë Kryeministrit sepse gjendja është shumë e rëndë. Ajo ka nevojë për një ndërhyrje, dy pllaka që nuk gjenden. Nëse mundet të na ndihmojë, në të kundërt do të mbledhim vetë njerëzit dhe t’i paguajmë”.
E po ashtu, janë të shqetësuar edhe për djalin 6-vjeçar që pa me sytë e tij si iu qëlluan prindërit. Por familja po kërkon një psikolog.
Tv Klan