Policia e Tiranës ka publikuar pamjet nga grabitja me pasojë vrasjen brenda marketit të familjes Buci në lagjen “OSBE” në Kamëz.
Autorët janë Vladimir Kurti 28 vjeç dhe Rushdi Hoda 25 vjeç, të dy me banim në Qendër Kamëz. Në videon e shpërndarë nga policia, duket momenti kur dy grabitësit hyjnë dhe më pas dalin nga marketi, ndërsa pamjet e përleshjes me çiftin Buci janë censuruar.
Në një deklaratë për mediat nga Drejtoria e Policisë së Tiranës, drejtori Kastriot Skënderaj tha se Vladimir Kurti është ekzekutori direkt i Agim Bucit dhe plagosjes së bashkëshortes së tij Merita Buci.
Gjatë operacionit të koduar “Hijet”, uniformat blu sekuestruan automjetin Volkswagen me të cilin autorët shkuan për grabitje dhe më pas u larguan, si dhe veshjet e dorezat e përdorura prej tyre. Në liqen, polumbarët e RENEA-s gjetën pistoletën e përdorur në krim. Ndërkohë vijojnë kërkimet për gjetjen e provave të tjera materiale. /
tvklan.al