Rubrika “Ka një mesazh për ty”, në Tv Klan solli ditën e sotme historinë aspak të thjeshtë të zonjës Ana. Ajo në studio tregoi se para 23 vitesh është larguar nga shtëpia me personin që sot është bashkëshorti i saj.

Në atë kohë ishte vetëm 16 vjeç dhe familja nuk e pranoi lidhjen e tyre sepse ajo ishte e vogël, por edhe sepse familja e djalit jetonte në fshat. Për shkak se asnjë përpjekje e tyre për pranimin e lidhjes nga ana e familjes nuk po realizohej, ata morën vendimin që të largoheshin së bashku.

Ana tregon se nuk ka qenë aspak e thjeshtë, por për hir të dashurisë që kishin për njëri tjetrin morën vendimin e guximshëm, pa e ditur se çfarë do të ndodhte.

Sot ajo i kërkon falje familjes së saj për gjithë dhimbjen që iu ka shkaktuar në atë periudhë.

Ardit Gjebrea: Motivi që ju ka sjellë këtu është?

Ana: Është një histori e imja, domethënë me dashurinë e jetës time. Një dashuri pak e trishtë për ta thënë edhe pas 23 vitesh, se unë 23 vite martesë kam. Unë në moshën 16 vjeçare njoha një djalë, ai ishte shok me çunin e xhaxhait tim. Vinte tek xhaxhai im, aty u njohëm edhe familja ime nuk ishte dakord.

Ardit Gjebrea: Po pse?

Ana: Arsyeja ishte se njëherë isha e vogël 16 vjeç dhe pastaj e dyta, familja e atij djalit jetonte në fshat dhe kisha dhe 1 vit e gjysmë që kisha humbur dhe babin tim dhe për nënën ishte shumë e vështirë që të vendoste që unë të shkoja përsëri në fshat. Unë e doja atë djalin dhe ai më donte, bënte kërkesë tek familja ime, por e njëjta përgjigje ishte, domethënë gjithmonë thoshte që nuk mundem, nuk të lejoj dot që të ikësh përsëri në fshat. E vendosëm bashkë me bashkëshortin që do iknim diku, ku të mundeshim bashkë. Edhe ishtë Nëntor ’97, ku vendosëm të takoheshim për të biseduar çfarë do bënim. Edhe mbasdite nga ora 5 shkoj për ta takuar. Në momentin kur po shkoja takova vëllain e madh që po vinte lart për tek shtëpia. Tha ku po shkon, i thashë po shkoj të mbush pak ujë, se kisha marrë dhe dy bidona me vete. Kur shkoj poshtë i dashuri im, bashkëshorti im kishte sjellë makinën. Edhe kur u afrova tek makina të them të drejtën diçka m’u ftoh këtu, sa nuk e di, m’u shemb gjithë bota për momentin. Por isha midis dy zgjedhjeve, ose të largohesha me atë djalin ose të kthehesha në shtëpi dhe ta harroja atë.

Ardit Gjebrea: Ai çfarë të tha?

Ana: Ai kur u afrova tek makina më tha që nëse je e bindur futu në makinë, nëse jo… unë këtë zgjidhje kam, nuk kam rrugë tjetër. Ok thashë. U afrova tek makina, me shumë dhimbje me thënë të drejtën hyra në makinë. Nuk e dija se ku do të përfundoja.

Ardit Gjebrea: Po ku shkuat?

Ana: Tek tezja e bashkëshortit që e kam thirrur sot. Ajo më tha a je e vendosur që do të rrish të jetosh me këtë djalin? Po i thashë ku të jetoj ky do të jetoj edhe unë, në fshat në fshat, me një kasolle me një kasolle. Ok tha. Sonte nuk do të rrini tek shtëpia ime, se ne kemi një dasëm, kishin dasëm nga fisi i burrit. Ne kemi frikë, se ishin aq të nxehur gjakrat sa mund të ndodhte dhe hataja për mua dhe atë.

Ardit Gjebrea: Po pse ishin gjakrat e nxehur?

Ana: Gjithë problemi ishte pse të na e bëjnë këta këtë punë neve. Nuk është e arsyeshme që ne të shkonim në atë pikë, por nuk kishim rrugë tjetër, në atë kohë më dukej sikur… Për vendimin që kam marrë nuk jam e pishmanit fare për bashkëshortin, por dhimbja që ju kam shkaktuar atyre, më bën të mendohem disa herë. Ju kërkoj falje motrave dhe vëllezërve./tvklan.al