Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Në përfundim të procesit të transparencës së fajdeve, kreu i grupit mbikëqyrës Farudin Arapi, shprehet se puna e këtyre viteve ka qenë rezultative. Ai sqaron, se 70 milion dollarë të rikuperuara janë vlera maksimale që u arrit të mblidhej gjatë etapës së parë të transparencës, nga 830 milion gjithsej që kanë humbur shqiptarët në firmat piramidale, pra vetëm 29% e vlerës së borxhit.

Rikompensimi i kreditorëve tani do të bëhet në masën 10%. Ndërkaq kryeministri Fatos Nano deklaroi, se 24% e parave të shoqërive huamarrëse kanë humbur, ndërsa deputetë të opozitës kanë thënë se mund të ishin mbledhur më shumë para nga firmat rentiere. Ja si i shikon këto qëndrime zoti Arapi.

Farudin Arapi: “Politika vazhdon, ose kërkon të vazhdojë ta mbajë peng këtë proces për interesa konjikturale të caktuara, të fushatave zgjedhore që fillojnë. Ata politikanë që mund të përpiqen të justifikojnë vetveten unë nuk i kam ndjekur, sepse përgjithësisht sa herë jam përpjekur t’u kthejë një përgjigje, kam ndeshur në këndvështrime negative të tyre, por ata politikanë që përpiqen ta mbajnë peng këtë proces, do të gabojnë”.

Megjithatë, kreu i grupit të punës për transparencën e firmave piramidale, shprehet se propozimet për të kompensuar kreditorët, siç është pjesëmarrja në privatizime me letra me vlerë, janë pranuar nga qeveria dhe disa prej tyre do të kalojnë në muajt e ardhshëm.

Farudin Arapi: “Kjo paketë e kuadrit nënligjor dhe ligjor, që ne paraqitëm për shqyrtim në grupin e transparencës, do të japi efektet e saj brenda muajit Shtator, në realizimin e rikompensimit të kreditorëve me vlerën 50 milion dollarë që trajtova më sipër, do ngarkohen disa institucione të tjera që do të mundësojnë rifillimin e kompensimeve të dyta mbi këtë vlerë. Kjo do të mbylli përfundimisht ciklin”.

Qeveria dje vendosi që të fillojë shpërndarja e parave të kreditorëve të firmës Kamberi. 587 milion lekë do të shpërndahen në filialet e Bankës së Kursimeve në rrethe të ndryshme të vendit./tvklan.al

Gazetare: Danjela Kostandini