Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Ligji i pronave i miratuar në Kuvend para pak kohësh, bie ndesh me Kushtetutën dhe ne duhet organizohemi, në mënyrë që t’a rrëzojmë atë. Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu është takuar me pronarët e Shkodrës dhe shoqatën Pronësi me Drejtësi për këtë problem. Sipas Mediut, moszgjidhja e çështjes së pronës po i shkakton një dëm të madh ekonomik Shqipërisë.

Fatmir Mediu: “Pavarësisht se qeveria socialiste mendon se kjo është një çështje e mbyllur, pavarësisht se një pjesë e opozitës shqiptare për fatin e keq e konsideron çështjen e pronës private, si aferë politike të votave apo numrit të atyre që do të votojnë pro ose kundër një partie, unë mendoj që këtë ne e kemi një problem të hapur dhe duhet ta diskutojmë me përfaqësues të BE. Zoti Paten krahas problemeve të tjera shumë të rënda siç është korrupsioni dhe krimi i organizuar thekson dhe një paragraf të tërë, zhgënjimin e BE për miratimin e një ligji tërësisht anti-kushtetues. Nga ana tjetër duhet të kujtojë që ka pasur vërejtje njëra pas tjetrës dhe të presidencës së BE. Çështja e pronës private është një çështje thelbësore, që ka të bëjë me të drejtën, që ka të bëjë me pronën, por që sot, unë ju kërkoj t’a mendoni që ka të bëjë shumë edhe me politikën.”/tvklan.al