Lajme Arkiva – TV Klan 2004
Kryetari i Partisë Republikane në kuadër të takimeve përgjatë gjithë bregdetit të Jonit, ka zhvilluar një takim të zgjeruar edhe në Nivicë, Gjiri i Kakomesë. Në gjithë takimet, Mediu u ka premtuar fshatarëve se toka është e tyre dhe as Nano e as Berisha nuk ka të drejtë t’ua marrë atë.
Fatmir Mediu: “Kambana e alarmit që bie në Kakome është një kambanë alarmi për gjithë bregdetin dhe për të gjithë Shqipërinë. I kemi kërkuar që nga Palasa, Dhërmiu, Qeparoi, do vëmë dhe në Borsh, Himara e të gjitha vendet me radhë, Lukova, që të bashkohen me ju këtu në Kakome. Jo se duam të bëjmë ndonjë rezistencë të padrejtë karshi një qeverie që do të bëjë një veprim, por sepse duam që të gjithë të jemi të bashkuar në një qëndrim për të respektuar të drejtën tonë si qytetar, të drejtën e pronës private. Para disa kohësh qeveria kaloi në parlament një ligj për pronën private, ky ligj në gjykimin tonë bie ndesh me Kushtetutën, neni 41 dhe 181 të saj, bie ndesh me konventën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, bie ndesh me interesat e pronarëve të bregdetit, interesat e pronarëve të Nivicës, interesat e pronarëve të mbarë Shqipërisë dhe unë dua t’ju them, që kjo ka dy qëllime brenda, qëllimi i parq është që përfundimisht të zhduket pretendimi mbi pronën private që ka ekzistuar gjatë gjithë këtyre viteve që bashkë me shoqatat ne e ringritëm në parlament, në bashkëpunim me gjithë faktorin ndërkombëtar, e dyta ishte për të fshehur, ose për t’i mbyllur kapitullin e korrupsionit masiv me miliarda dollarë që është bërë me pronën private deri tani.”
Mediu siguroi banorët se Partia Republikane është e do të jetë përkrah tyre./tvklan.al