Mungesa e motivimit cilësohet problemi më i madh te të rinjtë sot sipas pedagogut Ermal Hasimja. Në një bisedë në “Aldo Morning Show” në Tv Klan, ai u shpreh se fëmijët dhe të rinjtë sot kanë çdo mundësi  për të arritur më shumë, por  nuk kanë qëllime e ambicie. Kjo i ka shaktërruar dhe i ka futur në një ‘burg’.

Njëkohësisht, pedagogu ‘fajëson’ edhe prindërit për këtë gjendje plogështie pasi duke plotësuar çdo  dëshirë të fëmijëve, u shkatërrojnë mentalitetin e të punuarit. Rezultati? Sipas pedagogut, fëmijë “qaramanë” dhe prindër që ndiejnë se s’kanë arritur asgjë me ta.

Ermal Hasimja: Fëmijët e sotëm pavarësisht se i kanë të gjitha mundësitë, praktikisht jetojnë në një burg sepse ngjashmërinë me burgun e kanë te pjesa e mungesës së motivimit, te pjesa e mungesës së qëllimeve, objektivave, mentalitetit të punës. Për ata jeta është shko në një kamp pushimi dhe jeto, por kjo nuk ka shumë diferencë nga pjesa e burgut. Si ndikon te prindërit? Te prindërit ndikon jashtëzakonisht keq sepse prindërit përpiqen të bëjnë maksimumin për fëmijët e vet. Fatkeqësisht, një pjesë e tyre e bëjnë gabim atë gjënë që bëjnë sepse mendojnë që duke iu plotësuar të gjitha dëshirat, po bëjnë rolin e tyre si prindër. Duke iu dhënë fëmijëve të sotëm të gjitha ata që s’i kanë pasur vetë kur kanë qenë të vegjël, po kryejnë detyrën.

Në fakt ata, po bëjnë saktësisht të kundërtën duke iu shkatërruar mentalitetin e punës, mentalitetin e kërkimeve, arritjes në një pikë të caktuar përmes punës, përmes përpjekjes, përmes lodhjes, përmes stresit dhe praktikisht, krijojnë këta fëmijë që krijojnë që janë qaramanë, ngordhalaqë, që janë depresivë, që nuk kënaqen me asgjë, nuk i kënaq asgjë dhe as nuk kanë ndonjë lloj dëshire për diçka specifike dhe natyrisht që pastaj kjo reflektohet te prindërit sepse çdo lloj stresi, çdo lloj pakënaqësie ose gjendje shpirtërore e fëmijës reflektohet automatikisht edhe te prindi, i cili ndien që po bën gjithçka por s’po arrin asgjë me fëmijët e vet./tvklan.al