Gratë shofere janë më të rrezikuara që të humbasin jetën në një aksident rrugor se sa shoferët meshkuj. Kështu thuhet në librin e ri të Caroline Criado Perez, gazetare britanike.
Dhe arsyeja përse gratë janë më të rrezikuara në një aksident, nuk ka të bëjë me faktin se ato mund të jenë më të pakujdesshme në drejtimin e makinës. Arsyeja është krejtësisht tjetër. Siguria e makinave dhe sedilja e shoferit dhe pasagjerëve është projektuar për trupin e burrave sipas përmasave të tyre.
Siguria e automjeteve është bazuar në madhësinë mesatare të një mashkulli, 1.77 metra i gjatë dhe që peshon 76 kg. Jo vetëm kaq, por shpeshherë gratë detyrohen që të ulen më pranë timonit duke afruar sediljen në pozicion të papërshtatshëm sa i takon masave të sigurisë. Kjo gjë rrit rrezikun për t’u plagosur rëndë apo për të humbur jetën gjatë një përplasje rrugore.
Edhe pse shifrat e aksidenteve tregojnë se numri më i madh i viktimave që humbasin jetën në aksidente rrugore janë burrat, gratë mbeten më të rrezikuara për të pësuar dëmtime të rënda.
/tvklan.al