Një 25-vjeçar, i identifikuar si Kristi Balukja, humbi jetën në orët e para të mëngjesit të kësa j të marte në spitalin e Elbasanit si pasojë e plagëve të marra nga shpërthimi i një sasie lënde plasëse.
25-vjeçari, rreth orës 04:10, në lagjen “Shënkoll”, ka qenë duke vendosur një sasi lënde eksplozive në automjetin tip “Volksvagen” në pronësi të Renato Çepës.
Por duket se nga pakujdesia, lënda eksplozive ka shpërthyer gjatë momentit të montimit në makinë dhe i riu është dëmtuar dhe transportuar në spital, por për shkak të plagëve të marra nuk ka mundur të mbijetojë.
Siç shihet edhe në këto pamje, nga shpërthimi i eksplozivit është dëmtuar edhe automjeti në pjesën përpara të tij.
Shënjestra e atentatit të dështuar në Elbasan, Renato Çepa, rezulton të jetë person me precedentë penalë në fushën e lëndëve narkotike, por policia thotë se shkak për vendosjen e tritolit është bërë një konflikt i vjetër për motive të dobëta mes tyre.
Gjithsesi një grup i posaçëm hetimor, i përbërë nga strukturat hetimore të policisë së Elbasanit dhe ekspertë të Departamentit të Policisë Kriminale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën pët të zbardhur të gjitha rrethanat e këtij rasti.
Tv Klan