Lajme Arkiva 2003
Edicioni i V i festivalit të muzikës së lehtë shqiptare “Kënga Magjike ka prezantuar dje natën e parë të tij, në këtë natë janë ngjitur në konkurrim mes tyre 19 këngëtarë dhe grupe muzikore të ardhura nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia.
Ata kanë shpalosur para publikut një larmi rrymash muzikore, duke filluar nga hip-hop, arembi, pop, të shoqëruar shpesh herë edhe me nota nga folklori shqiptar. Në pjesën më të madhe këngët e interpretuara kanë pasur tema romantike, ndërkohë që kanë spikatur emra kompozitorësh nga më të njohurit shqiptarë që kanë punuar në realizimin e tyre.
Mbrëmja është drejtuar nga Ardit Gjebrea i cili është edhe producenti i spektaklit së bashku me regjisoren Grabocka. Ajo që bie në sy në këtë festival është juria ndërkombëtare, e cila do të vlerësoj këngëtarët pjesëmarrës si edhe rëndësia që i është dhënë muzikës dhe këngëtarëve të cilat kanë qenë protagonistët e vetëm të spektaklit dhe që kanë përgatitur shown e tyre.
Festivali ka qenë një transmetim i drejtpërdrejtë i Tv Klan. I cili për rreth dy orë ka realizuar një transmetim direkt duke përcjellë te të gjithë teleshikuesit magjinë e këngës shqiptare. Sot në mbrëmje do të ngjiten në këtë skenë 20 interpretuesit e tjerë pjesëmarrës në jubileun e “Këngës Magjike”, i cili do të kurorëzohet ditën e nesërme me emrat fitues të këtij edicioni, ndërkohë që sot pritet të mbërrijnë në tiranë edhe të ftuarit e tjerë special të “Këngës Magjike”./tvklan.al