Gërryerja dhe erozioni nga lumi Seman ka bërë që 80 Ha tokë bujqësore në fshatrat Sup dhe Arapaj të rrethit të Fierit të mos figurojnë më në regjistrin e tokave.
Mungesa e paneleve të betonit ka bërë që prurjet e lumit të kapërdijnë çdo vit 20 metra tokë bujqësore. Fermerët shprehen se nëse nuk do të ndërhyhet me këto ritme, toka e tyre në pak vjet nuk do të ekzistojë më.
Asllin Cjapi: “Unë vetë atje kam pasur rreth 2 Ha tokë dhe deri tani ka arritur 1 Ha. Bile më ka marrë 50 % të tokës edhe nga viti në vit sa vjen lumi ha gjithmonë.”
Veli Agaçi: “Shumica e fermerëve që kanë marrë toka bujqësore, që aktualisht figurojnë si pronarë të ligjshëm, sot nuk janë më pronarë, pasi pronar është lumi Seman. Ministria e Bujqësisë i ka të gjitha mundësitë për rehabilitimin dhe sistemimin e këtyre tokave bujqësore me panel.”
Por mungesa e paneleve të betonit nuk është problemi i vetëm. Edhe argjinatura e lumit rrezikon të shembet si pasojë e degradimit në vite.
Safet Ruko: “Në pjesë të argjinaturës nuk është bërë asnjë ndërhyrje dhe argjinatura është amortizuar tej mase. Që në një prurje të vrullshëm të lumit është mundësia që fshati që është përbri mbytet i tëri.”
Edhe pse lumi ka marrë një pjesë të konsiderueshme të tokave të tyre. Fshatarët vazhdojnë të paguajnë taksën për prodhimin me shpresën se të paktën lumi që u ka përpirë tokat do të mbetet në pronësi të tyre./tvklan.al
Gazetar: Kristaq Thano