Maratona e Këngës Popullore ngre në këmbë qytetin e Fierit në vizitën e saj të tretë, në qytetet kryesore të Shqipërisë, pas Pogradecit dhe Elbasanit. Zërat më melodiozë dhe më të kërkuar të momentit shoqërohen gjatë tre orëve fierakët në një koncert madhështor në qendër të qytetit.

Brohoritjet e publikut nuk kishin si të mungonin për të gjithë artistët që interpretuan, si Françesk Radi, Irma dhe Eranda Libohova, vëllezërit korçarë dhe Çiljeta. Por edhe mjaft emra të tjerë që përcollën me mjaft ndjenjë potpurinë myzeqare, si grupi i Fierit, grupi Era e Tepelenës, Ali Pasha apo këngëtarja Maja.

Anjeza Maja dhe Drini Zeqo i bënë për vete banorët e Fierit herë-herë me batuta spontane, por edhe me freskinë që përcollën gjatë tre orëve të koncertit.

Maratona e Këngës Popullore e sjellë nga grupi promotor me autor Pani Laço, Bledi Laço dhe Adrian Hilën i kthyer në një traditë në televizionin kombëtar Klan, u mirëprit mbi të gjitha sepse përcjell traditën. Ashtu si u shprehën edhe vetë qytetarët e Fierit duke nisur që nga i pari i tyre, kryebashkiaku Baftjar Zeqo.

Baftjar Zeqo: “Qyteti i Fierit, qytet punëtor, por mbi të gjitha artdashës. Jo ka nevojë, por një etje të madhe për të dëgjuar muzikë dhe sidomos muzikën popullore.”

“E është tradita këtë pëlqej edhe normalisht që janë të bukura shumë.”

“Ne jemi qytet që e mirëpresim gjithmonë muzikën.”

“Si çuna dhe goca s’kanë çfarë bëjnë dhe do vijnë ku ka aheng ku ka festival.”

Ndërkohë fierakët jo vetëm që duartrokitën spektaklin që gëzon mbështetjen e ministrisë së Kulturës dhe vetë ministrit Ylli Pango. Por me kuriozitet ndoqën edhe profesionalizimit e stafit teknik të televizionit Klan gjatë përgatitjeve për ngritjen e skenës që në orët e para të ditës.

Këtë vit edicioni i tretë i maratonës së këngës popullore është konceptuar krejt ndryshe nga më parë. Skena e maratonës do të ngrihet përgjatë verës në mjaft qytete të Shqipërisë dhe jo vetëm, si dhe do të transmetohet çdo të diel duke nisur nga 13 korriku në ekranin e televizionit Klan./tvklan.al

Gazetare: Daniela Kostandini