Ditën e hënë ora 21:00 në televizionin Klan, fillon sezoni i dytë i “Doktor Plastik”. Ky reality show që është i pari në Shqipëri i këtij lloji, vjen si prodhim i televizionit Klan me klinikën Da Vinci. Me një ide të autores Elda Laze dhe prezantimin e Kiara Titos, edhe në sezonin e dytë të tij, “Doktor Plastik” në qendër të çdo episodi do të ketë një personazh që kërkon të bëjë një ndërhyrje estetike me qëllim përmirësimin e një defekti të lindur estetik apo të krijuar ndër vite.
Kësaj here, duket se “Doktor Plastik” do të na mbajë lidhur pas ekranit më gjatë se sezonin e kaluar. “Këtë vit vijmë me më shumë puntata dhe këtë sezon do të kemi edhe personazhe publikë”, thotë autorja Elda Laze, pa dashur të përmendë emra për të ruajtur akoma misterin.
Në fakt, kureshtja ka qenë pika e fortë e shikueshmërisë të këtij emisioni, kureshtja për të parë deri në fund se si personazhet transformohen para dhe pas një ndërhyrje estetike. A do të arrijë ky sezon të na mbajë kureshtjen gjallë deri në fund të sezonit?
Këtë do ta shohim duke filluar nga dita e hënë më 3 Qershor ora 21:00, ku do të shfaqet në prime time episodi i parë. Ritransmetimet do të jenë në fundjavë, të dielën dhe të shtunën ora 23:30./tvklan.al