Futbolli amerikan dominon botën e sportit në aspektin e fitimeve vjetore. Këtë e konfirmon revista e specializuar e shifrave “Forbes”, duke publikuar edhe klubet që kanë fituar më shumë në vitin e fundit. Sporti më popullor në Amerikë është një “minierë” e vërtetë, pasi secili prej klubeve pjesë e elitës së futbollit amerikan ka arkëtuar rreth 323 milionë dollarë. Një shifër tepër e lartë grumbulluar kjo falë marrëveshjeve për të drejtat e televizive dhe sponsorizimeve, por edhe çmimeve të larta të biletave.
Dallas Cowboys kryeson këtë renditje të veçantë, pasi ka fituar në total 564 milionë dollarë. Ekipi i dytë me fitimet më të larta gjendet Los Angeles Rams, që arriti thuajse gjysmën e atyre të Dallas, me 286 milionë dollarë. New England Patriots kompleton podiumin, ndërsa në 20 pozicionet e para gjenden 5 klube të NBA, 3 të hokejt amerikan dhe 3 klube futbolli, të gjitha nga Premier League.
Elita e futbollit anglez është i vetmi kampionat që sfidon dominimin e kompeticioneve amerikane. Klubet në këtë renditje gjeneruan rreth 3.9 miliardë dollarë të ardhura në sezonin e fundit për të cilin disponohen të dhëna zyrtare, mesatarisht 195 milionë dollarë për klub, 12% më shumë nga renditja e vitit 2023.
Klan News