Tre barazime radhazi kanë ulur disi ritmin e Dinamos. “Nëndetësja blu” ka humbur terren për kreun e Superligës, gjithsesi mbetet ende në zonën e final-four.

Një ecuri e ndikuar nga mungesa të shumta, madje, tekniku Ilir Daja ka pranuar se kjo situatë është reflektuar shpesh në fushën e lojës.

Por, duket se dhimbjet e kokës kanë marrë fund për Dinamon. Sfida ndaj Vllaznisë do të ketë një grup më të kompletuar, duke parë rikthimin e katër elementeve kyç.

Problemet fizike i kanë kaluar portieri Sali dhe Dita, ndërsa të rikuperuar pritet të jenë edhe Dejvi Bregu e Jorgo Meksi.

Katër futbollistëve tepër të rëndësishëm për skemat e teknikut Daja, i cili në këtë mënyrë do ta ketë më të lehtë për të formuar skuadrën që do të hedh në fushën e lojës përballë shkodranëve.

Rikthimi i tyre shton konkurencën dhe rrit cilësitë, me Dinamon që synon kthesën për të marrë pikët dhe blinduar pozicionin në garë për titullin kampion. Me përjashtim të ndonjë befasie, mungesat do të jenë të pakta për kryeqytetasit.

Klan News