David Coote, ishte një nga arbitrat më të përfolur gjatë verës së kaluar. Gjyqtari nuk kishte marrë ndonjë vendim të madh në fushë, por bëri bujë, për pamjet jashtë saj.

Në disa video të publikuara në rrjetet sociale, Coote u pa duke pirë kokainë, ndërsa kishte ofenduar gjithashtu edhe Liverpool dhe trajnerin Jurgen Klopp.

Pas këtyre videove, gjyqtari i Premier League u pezullua dhe nuk i lejohet të vendosë drejtësi në asnjë ndeshje. Coote ka dalë së fundmi me një deklaratë të bujshme.

Duke folur për “The Sun”, ai zbuloi se është homoseksual, ndërsa tha se veprimet e tij, kanë qenë në varësi të asaj që po kalonte.

“Unë jam homoseksual. Kam luftuar me këtë për një kohë të gjatë. Nuk e njoh veten në videon duke thithur kokainë. Nuk e mbaj mend si u ndjeva atëherë. Kisha probleme dhe zgjodha këtë rrugë. U ndjeva i turpëruar gjatë viteve të adoleshencës. Nuk ua tregova prindërve të mi orientimin tim seksual deri në moshën 21 vjeçare.

As miqve nuk u tregova deri 25 vjeç. Kam fshehur ndjenjat e mia si arbitër i ri, por kam fshehur edhe seksualitetin tim. Unë kam qenë një arbitër i mirë, por një person i keq. Dhe kjo më çoi në një sërë sjelljesh. Unë marr përgjegjësinë e plotë për veprimet e mia të cilat ishin në varësi të asaj që prisja nga vetja”, deklaroi Coote.

/tvklan.al