Kujtim dhe Dorina Qosja nga Elbasani i janë drejtuar emisionit “Stop” në Tv Klan për një problem shëndetësor. Në vitin 2011, Dorina u diagnostikua me diabet të tipit 1 dhe doli në komision.
Por në vitin 2016, kempi epror e nxori pa grup dhe çifti nisi procesin gjyqësor që zgjati 3 vjet, pas të cilit Dorina fitoi të drejtën vetëm për vitin që komisioni e kishte nxjerrë pa grup. Për pjesën tjetër, familja u fut në borxhe për të blerë insulina, që janë jetike për Dorinën.
Gazetarja: Na shpjegoni çfarë vendosi gjykata dhe sa kohë zgjati procedura gjyqësore?
Kujtim: Në Gusht të 2016, para se të mbaronte afati i fundit, unë bëra ankimimin dhe ndoqa procedurën për në gjykatë. Procedura vajti nga 2016 deri në 14 Nëntor 2019. Prej kësaj kohe, nuk kam përfituar insulinat. Gjykata vendosi absolutisht të pavlefshëm të dy vendimet që kishte marrë kempi i Elbasanit dhe po ashtu kemi epror që ma nxori nusen pa grup.
Gazetarja: Në total, procesi gjyqësor ka shkuar 3 vite?
Kujtim: 41 muaj.
Gazetarja: Në këto 41 muaj, ju si përballuat jetesën dhe mjekimin e zonjës?
Kujtim: Me borxhe, jetoj me qira, vetë i pestë. Kam 3 kalamaj të mitur.
Gazetarja: Sa është kostoja e një insuline dhe sa bën në ditë zonja?
Kujtim: Kostoja e një insuline është 35 mijë Lekë të vjetra. Nusja përdor 7 deri në 9 insulina në muaj.
Në Poliklinikën e specialiteteve, doktori që ndjek Dorinën, shpjegon se diabeti është sëmundje progresive, që vjen duke u rënduar dhe nuk ka dyshim që ajo duhet të trajtohet gjithë jetën.
Mjeku: Sa vjet iu bë asaj me insulinë?
Qytetari: Nga 2011-ta.
Gazetarja: Nga 2011-ta.
Mjeku: Ajo është sëmundje progresive, që do të vijë duke u rënduar, që do të ketë probleme edhe më shumë në të ardhmen. Kështu që nuk e vë në dyshim asnjë këtë. E di edhe bufi, e dinë dhe ata, që janë doktorë atje, që i nxjerrin në komision.
Gazetarja: Vendimi i gjykatës ka qenë në favor të zotërisë, në favor të pacientit. Kemi një 2-vjeçar që mbetet bosh.
Mjeku: Ma shpjegoi ky këtë 2-vjeçarin. Ndoshta e kanë aty, që nuk mund të kthehen mbrapa, prandaj i kanë thënë për gjyq.
Gazetarja e “Stop” iu drejtua Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Elbasan dhe drejtuesja e degës së përfitimeve, Jonida Beqiri, dhe juristja Alketa Kallajxhiu shpjeguan situatën dhe arsyet, se pse për 2 vite zonja nuk ka marrë asnjë pagesë invaliditeti.
“Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, me vendimin e datës 10.04.2018 ka pranuar pjesërisht padinë duke i dhënë të drejtën e përfitimit të pensionit të invaliditetit vetëm për vitin kur ishte dhënë vendimi i kempit rajonal të Librazhdit, të cilin kempi epror e kishte shfuqizuar. Nga ky moment, e vetmja e drejtë që i jepet me anë të vendimit gjyqësor është përfitimi i pensionit të invaliditetit për zonjën Dorina Qosja për këtë vit”. /tvklan.al