Medalistët olimpikë, mundësit Chermen Valiev dhe Islam Dudaev kanë përfituar bonus 5 milionë Lekë për suksesin e arritur në Paris 2024. Në një ceremoni të mbajtur në nder të medalistëve të Shqipërisë, ministrja Ogerta Manastirliu ka thënë se janë të angazhuar për të investuar në infrastrukturën sportive në vend dhe po ashtu të mbështesin direkt me një sistem shpërblimi financiar për sportistët më të mirë.

Ogerta Manastirliu: Jemi të angazhuar që jo vetëm të investojmë në infrastruktrën sportive në shkolla, gjë që po e bëjmë me një ritëm dhe me një intensitet të lartë, fokusi është tek terrenet sportive për të qenë të hapur dhe jashtë orarit mësimor. Stadiumet e reja që janë në fazën e projektimit, me partneritetet e reja që kemi hapur dyert për akademitë më të mira dhe marrëveshja për qendrën sportive të tenisit. Të mbështesim sportin për të gjithë, si kemi nisur me lëvizjen sportive në shkolla.

Ambicia jonë është shtrirja më tej e këtij programi në disipina të reja dhe përfshirjen e sa më shumë fëmijëve në të gjitha ciklet. Mbështetja direkte me një sistem shpërblimi financiar që në fakt është ndër më të mirët, krahauar me vendet përreth për të gjithë ato mbështetje që kemi bërë për sportistët, ashtu sikurse është edhe shpërblimi që akordojmë sot medalistëve tanë dhe trajnerëve të tyre. Chermen Valiev, Islam Dudaev, Abakarov, nuk janë të vetmit sportistë që garojnë për Shqipërinë, janë edhe disa sportistë që po ngrenë lart flamurin shqiptar. Ne ndihemi mirë që kanë zgjedhur Shqipërinë për të garuar dhe për të bërë një detyrë që sporti e arrin më shumë, të frymëzojë brezat e rinj.


/tvklan.al