Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka përshëndetur fitoren e mundësit Chermen Valiev, në Lojërat Olimpike të “Paris 2024”, i cili i dha Shqipërisë medaljen e bronztë.

Në një postim në rrjetin social “Facebook” Rama thotë se ky është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar. Kryeministri Rama thekson se në Shqipëri jo vetëm që nuk largohen më talentet, por vijnë edhe sportistë që kapin majat e botës me flamurin kuqezi.

“Medalja e Parë Olimpike në historinë tonë është një lajm që flet shumë për punën e Komitetit të Rilindur Olimpik Shqiptar nën drejtimin e Fidel Yllit; për të vërtetën që Shqipërisë jo nuk i ikin më talentet sportive të lindura këtu, po talente të lindura gjetkë e zgjedhin si atdheun e dytë për t’u stërvitur në kushte optimale e për t’u ngjitur në majat e botës me flamurin kuqezi; si edhe për fillimin e një historie të re, që në vite do të sjellë fryte të tjera të gëzueshme falë lëvizjes masive sportive për fëmijët dhe investimeve masive në palestra e në infrastrukturë sportive që do të vazhdojnë. FALEMINDERIT KAMPION”, shkruan Rama.

/tvklan.al