Flamurtari kërkon mbështetjen e tifozëve për të mundur Skënderbeun, sot në orën 19:00. Klubi do të lejë hyrjen falas në pjesën më të madhe të tribunave. Bileta do të shiten vetëm për atë qendrore.

Vlonjatët nuk janë në të njëjtat pozita si disa sezone më parë, por gjithsesi trajneri Shpëtim Duro ka ndryshuar frymën në ekipin. Objektivi mbijetesë nuk është arritur ende. Skënderbeu duhet të fitojë për të mos humbur terren me Partizanin.

Ilir Daja ka më shumë zgjedhje në këtë sfidë, pasi është riaftësuar Sebino Plaku, por nuk do të rrezikojë me Sabjen Lilajn.

Vëmendjen tërheq edhe takimi tjetër i javës së 28-të, Tirana – Teuta në orën 19:00 në “Selman Stërmasi”. Bardheblutë nuk po arrijnë të fitojnë këtë vit në kampionat, duke zbritur në renditje dhe janë pranë zonës së rënies.

Prej disa javësh tribuna përkarshi është falas për tifozët. Qetësi po kërkojnë dhe durrsakët, pasi pikët nuk janë të mjaftueshme për të qenë të sigurtë për mbijetesë.

Tiranës përveç Gentian Muçës, listës i është shtuar edhe Flamur Bajramaj. Te Teuta, Bojan Markoviç i ka plotësuar numrin e kartonëve, ndërsa Bledar Hodo e Ardit Hila janë të dëmtuar. Këto takime mbyllin javën e 28-të.

Tv Klan