Deri më 30 Prill kur edhe bëhen 100 ditë në pushtet Obama do të adresojë disa çështje të rëndësishme ekonomike.
Në krye të listës do të jetë kalimi në kongres i paketës stimuluese të ekonomisë. Ai synon të krijojë dhe ruajë 3 deri në 4 milion vende pune, që mjafton për të ruajtur nivelin e papunësisë të paktën deri në vitin 2010.
Një javë më parë ligjvënësit në senat i dhanë Obamës 350 miliard dollarë për të nisur punën, kështu thesari arriti të merrte gjysmën e 700 miliard dollarëve të miratuara nën administratën Bush.
Obama ka propozuar krijimin e një “Bad Bank”, banke të keqe ku do të ruhen të gjitha setet e palikuiduara që do të merren nga institucionet në krizë.
Ai do të ulë me 1 mijë dollarë taksën për familjen e shtresave të mesme dhe do të reduktojë ndjeshëm buxhetin federal duke eliminuar shpenzimet e panevojshme.
Përsa i përket industrisë së makinave dhe dy gjigantëve në telashe, General Motors dhe Chrysler, ekipi Obama do të japë një hua prej 13.4 miliard dollarë duke u treguar mjaft i prerë në kërkesën për një plan likuiditeti të kompanive deri më 31 Mars.
Megjithatë gjithçka varet se si në këto 100 ditë ai do të paketojë zgjidhjet për problemet në rritje./tvklan.al
Gazetare: Urita Dokle