Besimplotë se ngjitja e Donald Trampit në Shtëpinë e Bardhë është një mrekulli për njërëzimin, Sali Berisha tha se do të kërkojë rishikimin e vendimit për shpalljen e tij “non grata”.

“Do marr iniciativë për të kërkuar nga administrata e re sipas rregullave që ekzistojnë që ky vendim strikt anti-opozitë, ky grusht shteti brenda shtetit, ndaj forcës politike opozitare të Shqipërisë, të marrë fund”, tha Berisha.

Pak muaj përpara zgjedhjeve, Berisha ka bërë thirrje për çdo afrim në radhët e demokratëve, por sërish dera e selisë blu është e mbyllur për Lulzim Bashën, ndaj të cilit nuk ka asnjë amnisti.

“Taulant Balla dhe Lulzim Basha janë binom i pandarë. Aq sa mund të ndash tymin nga bloza, mund t’i ndash këta dy persona”, deklaroi kryedemokrati.

Pavarësisht dakordësisë të arritur në Kodin Zgjedhor mes palëve politike për votën e diasporës, Berisha insiston edhe për pjesëmarrjen e emigrantëve në zgjedhje me dokumentat e vendit ku ata jetojnë.

“Çdo dokument biometrik i cilido shteti që ata ndodhen, duhet të konsiderohet i vlefshëm për të votuar qytetari shqiptar me të drejtë vote”, u shpreh ai.

Më herët, kreu i demokratëve ishte edhe në SPAK në zbatim të masës së sigurisë “detyrim paraqitje” të caktuar nga Apeli i GJKKO-së, ku u prit nga mbështetës të opozitës. Pasi qëndroi për afro 15 minuta brenda, në dalje për mediat Berisha hodhi akuza në adresë të SPAK-ut.

“Organizata kriminale e Skrapit të partisë, e angazhuar në luftë kundër pluralizmit dhe opozitës, e kryesuar nga Altin Lala, do të përfundojë, do të ketë atë fund që kanë pasur të gjitha veglat e diktaturës në çdo kohë”, deklaroi kreu i PD-së.

Ai lëshoi akuza edhe për Ministrin për Parlamentin Taulant Balla, për të cilin thotë se është i përfshirë në dosjen e “Tojota Auris” dhe publikoi disa përgjime qe sipas tij e implikojnë atë.

“Erjona Daupaj, matahari i Skapit të partisë, çfarë ka, pse i duket pa vlerë situata? Do ta pësojë keq, i thuhej, do i biesh kokës me grushta Radvan Çela, nga Tao dhe thotë se i ka në rregull letrat. Pra Tao e ka bërë, Taulant Balla”, tha Berisha.

Berisha u pyet edhe për ngjarjen e oficerit të Policisë Rrugore dhe tha se respekton qëndrimin e familjes per të mos ndërmarrë asnjë veprim në emër të saj.

“Në raste kur pretendohet për probleme strikte individuale, siç e pohoi familja, ndërhyrja nuk më duket se është e drejtë dhe duhet të respektosh familjen”, tha Berisha.  

Berisha prezantoi edhe programin për shëndetësinë, duke thënë se do të ndjekë modelin gjerman.

Tv Klan