Në një deklaratë të shpërndarë për mediat nga zyra për shtyp e ish-Kryeministrit Sali Berisha thuhet se demokratët kanë marrë në dorë fatet e partisë së tyre dhe në datë 11 Dhjetor do mblidhen të bashkuar si asnjëherë më parë për ta hequr Partine Demokratike nga pazaret e Bashës dhe për t’jua rikthyer atë demokratëve.
“Dita e ndryshimit po vjen! Demokratët kanë marrë në dorë fatet e partisë së tyre dhe në datë 11 Dhjetor do mblidhen të bashkuar si asnjëherë më parë për ta hequr Partine Demokratike nga pazaret e peng kryetarit dhe për t’jua rikthyer atë demokratëve. Vetëm kështu Partia Demokratike do të shkëputet nga pazar humbjet e Lulzim Bashës dhe do rikthehet në rrugën e përballjes me Ramën dhe fitoren ndaj narkoshtetit të tij. Në datë 11 Dhjetor demokratët do refuzojnë humbjet, disfatat dhe pazaret dhe do rifitojnë kohën e humbur drejt FITORES!”
Në deklaratë thuhet se Basha është bërë qesharak me kërcënimet se do përjashtojë partinë për të mbajtur vulën që i duhet vetëm për të vulosur humbjet e Partisë Demokratike në kurriz të pazareve të tij me Edi Ramën.
“Lulzim Basha njeriu që ka frikë të takojë demokratët dhe madje ka tmerr dhe nga firmat e tyre e ndjen se me afrimin e Kuvendit të Partisë Demokratike, pazaret e tij me Edi Ramën do të mbarojnë, e bashkë me to dhe përfitimet e tij prej tyre. Ai është bërë qesharak me kërcënimet se do përjashtojë partinë për të mbajtur vulën që i duhet vetëm për të vulosur humbjet e Partisë Demokratike në kurriz të pazareve të tij me Edi Ramën! Problemi i Partisë Demokratike nuk është Sali Berisha, që e ka bërë atë 7 herë fituese, por pazarexhiu që i ka shkaktuar dhe sjellë asaj vetëm humbje dhe dështim. Lulzim Basha ka shitur sakrificat, besimin, mundin dhe djersën e demokratëve duke u dhuruar atyre vetëm humbje, ndërsa për vete ka përfituar si askush në 30 vjet duke u pasuruar në opozitë! Ai ka dështuar në çdo aksion opozitar që ka nisur për faktin e thjeshtë se gjatë rrugës interesat dhe sakrificat e demokrateve u shitën për pazare, siç bëri me çadrën, me Astirin, me teatrin, me djegien e mandateve, me bojkotin e zgjedhjeve, me traun e rrugës së Kombit, me portin e Durrësit e shumë të tjera!”
“11 Dhjetori do të jetë një ditëlindje e vërtetë për Partine Demokratike dhe gjithë demokratët që duan të bëjnë opozitë të vërtetë dhe pa asnjë kompromis për të rrëzuar narkoshtetin e Ramës dhe pengjet e tij”, theksohet në deklaratë./tvklan.al