Këtë vit, globi ka më shumë të pasur miliarderë se kurrë më parë. Në listën për vitin 2024, revista prestigjioze Forbes listoi një numër të ri rekord prej 2 781 miliarderësh, 26 më shumë se rekordi i deritanishëm që ishte vendosur në 2021-shin.
Pasuria e përbashkët e tyre arrin në mbi 14 trilion Dollarë, teksa miliarderët e sotëm janë 255% më të pasur se një dekadë më parë.
Lista kryesohet ashtu si vitin e kaluar nga treshja Arnault, Musk dhe Bezos. Francezi Bernard Arnault dhe familja e tij, me biznese në fushën e modës luksoze ka një pasuri prej 233 miliardë Dollarësh.
Bosi i teknologjisë së lartë dhe inovacionit Elon Musk ka 195 miliardë Dollarë pasuri, ndërsa ai i tregtisë online Jeff Bezos ka 1 miliardë më pak se Musk.
Në listën e këtij viti është përfshirë për të parën herë edhe këngëtarja Taylor Swift. Ylli i muzikës Pop ka një pasuri prej 1.1 miliardë dollarësh dhe është e para këngëtare që ka vënë një pasuri kaq të madhe vetëm nga të ardhurat në fushën e muzikës.
Tv Klan