Katër pengje që u rrëmbyen nga militantët e Hamasit gjatë festivalit të muzikës Nova më 7 tetor të vitit të kaluar janë shpëtuar nga forcat izraelite.
Të shpëtuarit janë Noa Argamani, 25 vjeç, Almog Meir Jan, 21 vjeç, Andri Kozlov, 27 vjeç dhe Shlomi Ziv, 40 vjeç. Ata u shpëtuan gjatë një operacioni kompleks në dy vendndodhje të veçanta në Nuseirat, në qendër të Gazës.
Ata janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe janë transferuar në një qendër mjekësore për ekzaminime të mëtejshme ku ndodhen edhe familjarë të tyre që i presin.
Rasti i Noas u bë shumë i njohur në mediat ndërkombëtare për shkak të kësaj videoje ku ajo tërhiqej zvarrë nga militantët e Hamasit në një motoçikletë.
Me dhimbje babai i saj i bënte lutje militantëve të kthenin vajzën e tyre dhe ky është edhe momenti i ribashkimit të tyre. Në vendin ku ushtria izraelite shpëtoi pengjet nisi edhe sulmet brutale në një kamp refugjatësh, duke lënë dhjetëra njerëz të vrarë dhe të plagosur në rrugë.
Për muaj të tërë, Izraeli është përballur me kritika të ashpra ndërkombëtare për viktimat civile në Gaza dhe pikëpyetjet nëse ka bërë mjaftueshëm për t’i parandaluar ato në luftën tetë mujore.
Kryeministri i Izraelit Benjamin Netanyahu po përballet me presion në rritje për t’i dhënë fund luftimeve në Gaza, me shumë izraelitë që i kërkojnë atij të pranojë një marrëveshje të shpallur muajin e kaluar nga presidenti i SHBA Joe Biden, por aleatët e ekstremit të djathtë kërcënojnë se do të rrëzojnë qeverinë e tij nëse ai e bën këtë.
Ndërkohë,Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, pritet t’i thotë Këshillit të Sigurimit javën e ardhshme, se Izraeli dhe Hamasi po shkelin të drejtat e fëmijëve në luftën e tyre për të eliminuar njëri-tjetrin.
Sekretari António Guterres ia dërgon listën Këshillit të Sigurimit dhe më pas këshilli mund të vendosë nëse do të marrë masa.
Klan News