Kryediplomati Hasani e nisi fjalimin e tij në forumin e Bledi-t në Slloveni duke kritikuar organizatorët për panelin ku ishin ulur vetëm burra. Ai ka nënvizuar faktin se qeveria Rama ka në përbërje të saj shumicën e ministrave femra. Hasani shprehu besimin se reformat e Shqipërisë do të vlerësohen nga Brukseli.
“Është e rëndësishme të kuptohet se Shqipëria nuk ka bërë thjesht përparim; Shqipëria ka bërë një përparim të madh që është konkret, i matshëm dhe real, dhe pranohet si i tillë. Prandaj, ne do të vazhdojmë që të kryejmë reformat e nevojshme për ta bërë vendin tonë sa më shpejt pjesë të BE-së. Në Shqipëri nuk ka të zgjedhur në institucione apo politikanë që nuk besojnë në rrugën euroatlantike të vendit. Ne kemi një konsensus të gjerë për këtë, pavarësisht nga debatet e nxehta politike.”
Hasani u shpreh se Greqia është një partner strategjik që e ka ndihmuar gjithmonë Shqipërinë në rrugën e integrimit. Sipas tij, rasti i një individi nuk mund të bëhet pengesë për këtë marrëdhënie.
“Ka kaluar tashmë një vit që kur jemi bërë gati për të mbajtur konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në. Tani jemi afër mbajtjes së saj. Në rajonin tonë thuhet se në disa raste nuk ka rëndësi se sa gati je me përgatitjet e duhura por duhet edhe fat për të arritur diçka. Të dyja, Bashkimi Evropian edhe Ballkani Perëndimor duhet të angazhohen në kohë për reforma dhe strategjitë inovative të integrimit. Ne kemi metodat dhe mjetet. Tani kemi nevojë për vendime të shpejta politike.”
Hasani ka nënvizuar si arritjen më të madhe reformën në drejtësi.
“Ne do të vazhdojmë me reformat. Kryeministri im ka deklaruar muaj më parë se reforma në drejtësi që ne kemi zhvilluar është më e madhja që nga pavarësia e vendit. Kjo është thelbësore sepse kjo reforme ka sjellë një ndryshim në perceptimin e sistemit të drejtësisë duke marrë mbështetje maksimale nga publiku ndërkohë që para dhjetë vitesh përkrahja ndaj gjyqësorit shqiptar ishte në kuotat më të ulëta. Ne do të vazhdojmë në këtë rrugë. Së shpejti do të miratohet një paketë e re kundër korrupsionit. Reformat nuk bëhen në emër të dikujt, por për popullin. Kushdo që i nënshtrohet drejtësisë nuk do të shihet në varësi të emrit apo të pozicionit që mban.”
Në fund të fjalës së tij, kryediplomati Hasani tha se tashmë janë vendosur mekanizmat e bashkëpunimit mes partive politike për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, ndaj ai beson se kjo do të kontribuojë në zhvillimin normal të zgjedhjeve parlamentare në pranverën e ardhshme.
Klan News