Brenda pak orëve Franca është goditur nga sulmet e dyshuara terroriste, që kanë shkaktuar 3 të vdekur dhe disa të plagosur.
Sulmi i parë ndodhi në qytetin e Nice në mëngjes brenda kishës Notre Dame. Një person që bërtiste Allahu Akhbar sulmoi me thikë qytetarët që ndodheshin brenda në kishë, duke vrarë 3 persona dhe plagosur disa të tjerë.
Njëra nga viktimat, është një grua, e cila po lutej në kishë. Asaj i është prerë koka me thikë. Autori u arrestua nga policia, pasi u plagos më parë me armë për t’u neutralizuar.
Kryetari i Bashkisë së qytetit të Nice, shkoi në vendngjarje për të parë nga afër situatën. Ai e konsideroi ngjarjen sulm terrorist dhe autoritetet po hetojnë në këtë pistë.
“Konfirmoj se rrethanat sugjerojnë për një sulm terrorist në katedralen e Notre Dame. U kërkoj qytetarëve të Nicës që të shmangin kalimin në zonë dhe të lejojnë policinë të kryejë punën”, ka shkruar në Twitter kryebashkiaku i Nice.
Ndërkohë, pak orë më vonë, ndodhën dy sulme të tjera të lidhura me Francën.
Një autor i dyshuar u qëllua për vdekje në Avignon, në jug të Francës. Ai kërcënoi policinë dhe kalimtarët në rrugë. Forcat e sigurisë u detyruan ta qëllonin me armë duke e lënë të vdekur.
Ndërsa në Arabinë Saudite, jashtë konsullatës franceze u sulmua një roje duke mbetur i plagosur. Ai u dërgua në spital, ndërsa autori i dyshuar u arrestua.
Kujtojmë se ditë më parë, në Paris iu pre koka me thikë një mësuesi nga një person i dyshuar i radikalizuar, pasi u kishte treguar nxënësve disa karikatura të Profetit Muhamed.

Këto sulme në Francë vijnë një ditë pasi revista satirike franceze Charlie Hebdo publikoi një karikaturë tallëse të Presidentit turk Erdogan, në vazhdën e publikimit të disa karikaturave të tjera të Profetit Muhamed. /tvklan.al