Vetëm pak kohë pasi Donald Trump mundi kandidaten demokrate Kamala Harris në garën për Shtëpinë e Bardhë, një fshat italian i quajtur Ollolai, në ishullin e Sardenjës, ka bërë një ofertë joshëse për ata që duan të largohen. Fshati piktoresk ofron shtëpi për vetëm 1 dollarë. Francesco Columbu, kryetari i Ollolait ndërmori një nismë të tillë për të luftuar shpopullimin.
Columbu hapi një faqe interneti që targetonte kryesisht amerikanët e pakënaqur, duke i ftuar ata që të fillojnë të mendojnë për një arratisje në parajsën evropiane. Ollolai u bën një mikpritje të ngrohtë amerikanë të cilët janë të lodhur me tensionet politike në SHBA.
“Ne thjesht duam dhe do të fokusohemi te amerikanët mbi të gjitha”, tha Columbu për CNN.
Për më tepër, fshati ka një klimë të mrekullueshme dhe ofron ushqim të shijshëm. Kryetari i fshatit thotë me shaka për mediat se nëse Trump do të donte të investonte në fshat, ai do të ishte i mirëpritur.
Përpjekja e Ollolait për të tërhequr banorë të rinj nuk është thjesht një reagim ndaj zgjedhjeve, por është pjesë e një fushate të vazhdueshme në të gjithë Italinë për të luftuar rënien e popullsisë. Në vitin 2022, ishulli i Sardenjës u ofroi banorëve të rinj rreth 15,000 dollarë për t’u shpërngulur atje, ndërsa Toscana ofroi të paguante 32,000 dollarë për t’u transferuar në disa nga fshatrat e saj më të bukur.
Klan News