Lajme Arkiva – TV Klan 2004

Federata Shqiptare e Futbollit ka shkelur rregullat e ankandit dhe ka ofenduar pjesëmarrësit në konkurrim me qëllim dhënien e të drejtës së transmetimit të ndeshjeve një televizioni, pronë e kryetarit të federatës.

Sipas njoftimit zyrtar, ankandi duhet të fillonte sot në orën 13:00. Pasi është çelur konkurrimi me tre përfaqësues televiziv, janë dhënë dhe oferta, por gjithçka është pezulluar pasi njëri nga përfaqësuesit nuk ka paraqitur dokumentacion të rregullt. Kryetari i komisionit ka dhënë afat prej dy orësh për përfaqësuesit pa dokumentacion.

“Ja ku po ta them burri i burrit, ora 15:00, në qoftë se s’fillojnë këta, unë nesër, pasnesër, pas një viti unë s’vij më të përfaqësojë këta”.

Edhe pas dy orëve, televizioni i tretë nuk është paraqitur.

Aleksandër Frangaj: “Xhiu të lutem mund ta mbani shënim, TV Klan ofron 58, kjo është shifra, shifër tjetër s’ka”.

Komisioni ka refuzuar të vazhdojë garën me dy konkurrentët e rregullt, TV Klan dhe Telesport pa dhënë motivin zyrtar.

Komisioni i FSHF: “Zotërinj të nderuar, komisioni me shumicë votash vendosi, të anulojë ankandin për ditën e sotme”.

Aleksandër Frangaj: “Sikur u shty për në orën 3, do të jepej vendimi, sepse ne ankandin e bëmë, ne i dhamë ofertat tona”.

Komisioni i FSHF: “Ky është vendimi që mori komisioni, i ngritur posaçërisht për ankandin e këtyre ndeshjeve”.

Aleksandër Frangaj: “Zotërinj, po mund të na jepni arsyen, shpjegimin e shtyrjes, sepse ne dhamë ofertat tona, 54 mijë dhe 58 mijë euro, pastaj ju thatë e shtyjmë për në orën 3 dhe për të pritur një televizion lokal, që të marrë pjesë domosdoshmërisht, TV Koha, në këtë ankand, ju e shtytë për në orën 3, nuk erdhën deri në orën 3, ju na thatë që ka ngel në trafik, ora është 15:30 dhe ata nuk u paraqitën, si mund të shtyhet një ankand publik, vetëm pse nuk ka ardhur TV Koha në ankand”.

Komisioni i FSHF: “Duke iu referuar pikës 11, e cila thotë, FSHF ka të drejtë të anulojë ankandin në çdo fazë të tij, me arsyen që nuk ka pjesëmarrjen e nevojshme”.

Aleksandër Frangaj: “O zotëri ishin tre televizione, na thuaj argumentin, ju po talleni me ne? Keni shpall ankand të hapur, kemi marrë pjesë tre televizione, njëri iku se s’kishte dokumente, dy kanë dhënë ofertat, na jepni rezultatin”./tvklan.al

Gazetare: Aranita Brahaj