Fundjava ka shtuar fluksin e lëvizjeve ndërkufitare në doganën e Qafë-Thanës. Në 24 orët e fundit kanë hyrë nga Maqedonia e Veriut 4521 qytetarë dhe kanë udhëtuar drejt vendit fqinj 5151 persona.
Udhëtarët thonë se vijnë në Shqipëri për të kaluar disa ditë pushime.
Një pjesë e pushuesve janë nga qytete të ndryshme të Maqedonisë së Veriut,por nuk mungojnë as emigrantët që jetojnë në Zvicër, Gjermani, Danimarkë dhe vende të tjera të Evropës.
Durrësi, Saranda, Ksamili apo Borshi janë disa prej destinacioneve turistikë që mbeten të preferuar për vizitorët.
“Ne vijmë nga Tetova, por nga Gjermania, prej Berlinit. Vijmë gjithmonë për pushime. Është shumë mirë, shumë bukur. Tani do të shkojmë në Durrës më vonë do të shkojmë edhe diku tjetër,” tha një pushues.
“Po do të ikim diku nga Durrësi, pak pushime. Do të qëndrojmë një ditë ose dy, do të shkojmë dhe do të kthehemi përsëri për në Tetovë,” një pushues tjetër.
“Kemi ardhur me pushime për të vizituar vendin tonë, Maqedoninë. Tani jemi duke shkuar për Dhërmi për pushime, do të shkojmë edhe në Kosovë dhe më pas do të kthehemi në Zvicër,” u shpreh një pushues.
“Jemi nga Gostivari. Do të shkojmë ose në Ksamil ose në Sarandë,” tha një tjetër.
Për të përballuar fluksin në rritje të udhëtarëve, policitë kufitare të të dy vendeve po punojnë me kapacitet të plotë sportelesh, çfarë ka lehtësuar kryerjen e procedurave.
Më tepër se 30 mijë udhëtarë kanë hyrë në vendin tonë gjatë kësaj jave nga pika e kalimit kufitar në Qafë-Thanë.
Klan News