Një 6-vjeçare u përplas nga një furgon që transportonte nxënës të një shkolle këtë të mërkurë në Lezhë. Ngjarja e rëndë ndodhi në Shënkoll, gjatë orëve të mesditës. Gazetari Martin Marku thotë se e mitura u dërgua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës dhe ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Për ngjarjen reagoi zyrtarisht edhe policia e Lezhës, e cila njoftoi se kishte arrestuar shoferin e mjetit, Petrit Frrokun. Ai akuzohet për shkelje të qarkullimit rrugor.
“Specialistët e Qarkullimit Rrugor në DVP Lezhë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, Petrit Frrokun, 56 vjeç, banues në Lezhë. Ky shtetas duke drejtuar automjetin e tij autobus që transporton nxënës shkolle, në aksin rrugor dytësor Shënkoll-Lezhë, ka aksidentuar një vajzë të mitur 6 vjeçe, e cila u transportua në Spitalin e Traumës, Tiranë për ndihmë mjekësore më të specializuar.
“Automjeti është bllokuar në Komisariat në cilësinë e provës materiale. Drejtuesit të automjetit i është bërë dhe testi i alkoolit ku ka rezultuar se nuk kishte konsumuar alkool (0.00 mg/l). Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po vijon veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e policisë së Lezhës./tvklan.al